Botë

ShBA vazhdon përpjekjet për paqe në Ukrainë, BE: Rusia të garantojë se nuk do të sulmojë përsëri

28.11.2025 14:41

Plani për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë duhet të japë garanci se Rusia nuk ka ndërmend përsëri ta sulmojë Evropën....

Plani për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë duhet të japë garanci se Rusia nuk ka ndërmend përsëri ta sulmojë Evropën ose ndonjë vend të saj. Ky ishte qëndrimi i prerë i përfaqësueses së lartë të Unionit Evropian për Politikë të Jashtme, Kaja Kallash.
 
“Duhet të sigurohemi se ky plan nuk do të nënkuptonte ose nuk do t’i mundësonte Rusisë që më lehtë prapë të sulmojë, por të jetë plan që Rusia nuk do të kishte më mundësi që përsëri të kryente sulme agresive. Nëse ne pranojmë tani se Rusia do të marrë pjesë të territorit të Ukrainës, e të cilat nuk i kishte fituar as me luftë gjatë këtyre 4 viteve, atëherë jemi të sigurt se do të kemi edhe më shumë luftëra në të gjithë botën.”, - deklaroi përfaqësuesja e BE-së, Kaja Kallash.
 
Formula për paqe dhe garancitë afatgjate për sigurinë e rajonit janë temat të cilat do t’i diskutojnë delegacionet e Ukrainës dhe të ShBA-së, e të cilat duhet të takohen gjatë javës së ardhshme, thonë nga MPJ-ja e Ukrainës.
 
“Lufta ruse vazhdon dhe të gjithë dëgjojmë se ajo përçmon përpjekjet e fuqive kryesore globale për ta përfunduar vërtet luftën me një paqe të qëndrueshme. Por, nëse do të ketë paqe nuk varet nga kërcënimet e Rusisë apo nga ndonjë ultimatum që ajo shpreh. Varet nga kushtet që ofron bota, në mënyrë që ky agresion të mos vazhdojë.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Gjatë javës së ardhshme përfaqësues të delegacionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të arrijnë në Moskë. Ndërkohë presidenti rus, Vlladimir Putin, ka deklaruar se bisedimet e paqes janë një nismë e mirë, por përsëriti se sulmet ushtarake do të ndalen vetëm atëherë kur Ukraina të tërhiqet tërësisht nga Donbasi. Putini njëherësh ka vendosur në pikëpyetje legjitimitetin e Zelenskit.
 
“Zelenski me të vërtetë ka probleme me legjitimitetin, për shkak mos gatishmërisë së tij, që të mbajë zgjedhje, por në fund të fundit të gjithë kanë dëshirë që gjërat të vijnë në rrugën e paqes.”, - u shpreh Dmitri Peskov nga Zyra e Presidentit Rus.                                      
Ndërkohë në Ukrainë po zgjerohen hetimet për korrupsion në sektorin energjetik, ku janë realizuar bastisje në shtëpinë e shefit të kabinetit të presidentit ukrainas.   
 
FITIM KRYEZIU