Maqedoni
Integrimet, Murtezani: Sipas meritave, jo bilateralizim të procesit
28.11.2025 15:05
Ideja për Union të bashkuar dhe të fuqishëm është më e rëndësishme se kurrë...

Në kohërat kur Evropa sërish po e rishqyrton rolin e saj në botë, ideja për Union të bashkuar dhe të fuqishëm është më e rëndësishme se kurrë, është konkluduar në bisedën mes ministrit për Eurointegrime, Orhan Murtezani dhe homologes së tij suedeze, Xhesika Rozenkrac. Me këtë rast, udhëheqësi me dikasterin potencoi se pa ndryshime kushtetuese, nuk hiqet pengesa e aspiratave që çon në familjen evropiane. Murtezani thotë se me Bullgarinë, bisedimet do të intensifikohen pas Vitit të Ri.
“Besojmë se procesi i zgjerimit patjetër të mbetet në bazë të meritave dhe qasje të drejtë dhe jo në bazë të kushtëzimeve bilaterale që janë jashtë vlerave evropiane dhe frymës së Unionit. Patjetër të punohet në ndryshimet kushtetuese. Ky është obligim që e kemi marrë pa të cilën nuk ka hapje të negociatave dhe s’ka anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, për momentin nuk mundet të flasim për proces të ndryshimeve kushtetuese kur të gjitha dilemat dhe shqetësimet tona nuk janë të adresuara. Që të adresohen duhet të mendohet dialog i rregulltë, të kthehet besimi në të dyja vendet fqinje, që në mënyrë evropiane të ndërtohet e ardhme e përbashkët evropiane.”, - deklaroi ministri i Eurointegrimeve, Orhan Murtezani.
Ministrja suedeze, Rozenkrac: Bëni ndryshimet kushtetuese dhe reformat
Ministrja suedeze Rozenkrac përkujton realizimin e reformave, sidomos në gjyqësor dhe luftimin e korrupsionit, detyra, që së fundmi i potencoi raporti i progresit. Edhe për të, hapja e klasterëve është në duart e Kuvendit me miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
“Duhet të investohet energji e madhe nga vendet kandidate. Dialogu i mirë me fqinjët është shumë i rëndësishëm dhe ne e përshëndesim dh nxisim secilin dialog të mirë që mund të realizohet në këtë drejtim. Pasi të implementohen ndryshimet kushtetuese, vendet e BE-së ta respektojnë marrëveshjen që është bërë dhe formalisht të fillojnë negociatat pasi të miratohen ndryshimet kushtetuese.”, - theksoi ministrja për Eurointegrime në Suedi, Xhesika Rozenkrac.
Dy bashkëbiseduesit janë dakorduar që të vazhdojë dhe thellohet më tej bashkëpunimi mes dy vendeve dhe të hapen iniciativa të reja të përbashkëta. Të dyja vendet ndajnë të njëjtat parime: stabilitet demokratik, respektim të ligjit dhe menaxhim të përgjegjshëm të të mirave publike, u tha me këtë rast.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
