Maqedoni
Mickoski: Rritja e çmimit të rrymës varet nga KRrE
28.11.2025 15:29
Qeveria do të vazhdojë ta subvencionojë energjinë elektrike...

Qeveria do të vazhdojë ta subvencionojë energjinë elektrike, ndërsa çmimi përfundimtar varet nga vendimi i Komisionit Rregullator, deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski. Sa u përket kritikave për mos liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, Mickoski tha se kjo nuk është zbatuar për të mos ndikuar në rritjen e çmimit të energjisë.
“Rregullatori vendos për nivelin e çmimit të rrymës. Më herët, si Qeveri ishim kritikuar edhe në raportin e BE-së, por edhe nga një pjesë e opinionit, se nuk po e zbatojmë një nga hapat që është pjesë e planit për rritje, hapin që parasheh liberalizimin e tregut të energjisë elektrike. Ne qartë thamë se këtë hap nuk do ta zbatojmë, sepse atëherë çmimi nuk do të ishte 62–65 euro, por mbi 100 euro, dhe rryma do të shtrenjtohej për një 50% të pabesueshme. Prandaj vendosëm që më tej ta subvencionojmë çmimin e energjisë elektrike për amvisëritë. Cili do të jetë çmimi final e vendos Rregullatori.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Sa i përket anulimit të rritjes lineare të pensioneve nga muaji i ardhshëm, Mickoski tha se ka marrë informacion se në Gjykatën Kushtetuese ka nisur procedura dhe gjyqtari raportues ka nënshkruar raportin final. Sipas tij, shumë shpejt do të shihet nëse informacioni është i saktë.
“Nëse do të ndodhë kjo, do ta shohim së shpejti, nëse kam pasur të drejtë, nëse informacioni ka qenë i saktë apo jo. Shumë shpejt do të marrim një përgjigje. Unë do të doja të mos kisha të drejtë. Ja, uroj të mos kem të drejtë, por çfarë ndodh nëse kam të drejtë? Atëherë kush është ai që po krijon kaos dhe që me vetëdije godet standardin e pensionistëve? Qeveria me ato masa synonte ta përmirësonte standardin e mbi 330 deri në 350 mijë pensionistëve.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Këto deklarata Mickoski i dha në konferencën për luftën kundër dezinformatave të organizuar nga Instituti për Studime të Komunikimit, në të cilën mori pjesë edhe ambasadori britanez, Metju Loson.
“Vlerësojmë se sistemi duhet të ketë informacione të sakta pasi dezinformatat e dëmtojnë demokracinë, prandaj vlerësoj si partner të NATO-s se duhet bashkërisht të marrim pjesë edhe me kryeministrin edhe me ju në këtë betejë.”, - u shpreh ambasadori i Britanisë në Maqedoni, Metju Loson.
Ndërkohë, kryeministri Mickoski theksoi se fushatat e dezinformimit janë një problem sigurie me pasoja strategjike dhe njoftoi se do të organizohen trajnime për ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm. Gjatë konferencës u prezantua edhe dokumenti i politikës publike i përgatitur nga Instituti për Studime të Komunikimit: “Përgjigja institucionale ndaj ndërhyrjeve të huaja dhe manipulimeve me informacion në Maqedoni, modele dhe opsione politike”.
ARMEND MURSELI
