Maqedoni

Personat me aftësi të kufizuara, institucionet: S’kanë qasje në shumë vende

28.11.2025 15:45

Personat me aftësi të kufizuara vazhdimisht ballafaqohen me pamundësinë për t’i realizuar të drejtat e tyre...

Personat me aftësi të kufizuara vazhdimisht ballafaqohen me pamundësinë për t’i realizuar të drejtat e tyre. Gjatë prezantimit të detyrimeve të Konventës për Promovimin e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara, nga Zyra e  Avokatit të  Popullit si  pjesë e mekanizmit për monitoringun e implementimit të Konventës në fjalë, thanë se  të drejtat e personave me aftësi të kufizuar ligjërisht mbrohen, por në praktikë ndeshen me shumë vështirësi.
 
“Numër i madh i personave me pengesa kanë qasje të vështirë apo aspak në institucionet për shërbime publike, në mbrojtjen shëndetësore, në arsim, në shërbimet sociale, si dhe në mundësitë për punësim. Jemi të vetëdijshëm se këto sfida janë afatgjate dhe sistematike, por e gjithë kjo tregon se në praktikë mbetet një hapësirë e madhe  mes asaj që e parashohin ligjet dhe jetës së përditshme të personave me aftësi të kufizuara.”, - deklaroi Vaska Bajramovska Mustafa nga Zyra e Avokatit të Popullit.
 
Ngjarjet lokale për këtë kategori qytetarësh janë shumë të rëndësishme, sepse bëjnë që të dëgjohen hallet e personave në fjalë dhe ato të adresohen, theksojnë  nga shoqata “HERA”. 
 
“Secili person me aftësi të kufizuar, secili njeri ka të drejtë, por, megjithatë flasim se duhet të ketë edhe qasje që të mund t’i jetojë dhe realizojë të drejtat e tij. Kur flasim për qasje nënkupton objekte të qasshme, qasje në institucione, në shërbime, në bashkësinë sociale. Këtë  e duam të gjithë ne dhe apelojmë të kontribuojmë në përparimin e qasjes, si në informacione, institucione e shërbime.”, - theksoi Vesna Matevska nga shoqata “HERA”.
 
Aktiviteti u shënua në javën kushtuar personave me aftësi të kufizuara, para  3 dhjetorit, që njihet  si  Dita Ndërkombëtare për përparimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU