Maqedoni

Shembja e dheut në Shipkovicë, katër familje u larguan nga shtëpitë

28.11.2025 15:55

Katër familje me 17 banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre në Shipkovicë si pasojë e rrëshqitjes së dheut....

Deri sa të gjithë po festojnë 28 Nëntorin - Ditën e Pavarësisë së shtetit shqiptar, katër familje nga Shipkovica me frikë e trishtim presin që nga çasti në çast mundi i tyre shumëvjeçar të shkatërrohet nga shembja e dheut pas reshjeve të vazhdueshme të shiut në vendin tonë. Njëri nga kryefamiljarët tha se ndjehen të rrezikuar dhe të gjithë janë larguar në shtëpitë e familjarëve. Ai kërkon nga institucionet të marrin masa.
 
Nga Komuna e Tetovës përmes një komunikate me shkrim kanë theksuar se në bashkëpunim me Qendrën për Menaxhim me Kriza ndjekin nga afër situatën. Por, pa precizuar se cilat do të jenë hapat e tyre të mëtutjeshme.
 
“Shtabi i Krizës së Komunës së Tetovës në bashkëpunim me Qendrën për Menaxhim me Kriza nga afër është duke e ndjekur situatën në Shipkovicë, ku si rezultat i rrëshqitjes së dheut katër shtëpi  janë të rrezikuara. Po ashtu tashmë anëtarët e katër familjeve janë evakuuar dhe janë strehuar tek të afërmit e tyre. Gjithsej janë 17 banorë që kanë lëshuar shtëpitë e tyre, ndërkohë që të reshurat vazhdojnë të bien.”, thuhet në komunikatën me shkrim nga Komuna e Tetovës. 
 
Përndryshe, banorët e Shipkovicës kanë frikë që mos të përsëritet tragjedia e 10 viteve më parë, ku si pasojë e vërshimeve humbën jetën disa persona.
 
VISAR SADIKI