Maqedoni

28 Nëntori, atmosferë festive edhe në Shkup

28.11.2025 16:00

Edhe shqiptarët e Shkupit po festojnë 28 Nëntorin....

Edhe shqiptarët e Shkupit po festojnë 28 Nëntorin. Në rrugë apo ballkonet e shumë shtëpive dhe banesave valon flamuri shqiptar, ndërsa nuk mungojnë edhe aktivitetet festive. Madje shumë shkupjanë zgjedhin të udhëtojnë drejt Tiranës apo Vlorës, për ta përjetuar sa më mirë atmosferën festive të ngritjes së flamurit të pavarësisë së shtetit shqiptar.
 
“Mendoj që do të dalim diku me familje, ndoshta kanë organizuar diçka, t’i përcjellim edhe partitë, njerëzit duhet masivisht të dalin të festojnë sa më shumë, kjo është një ditë madhështore për të gjithë shqiptarët anembanë.”, - tha një qytetar.
 
“Dita më e madhe, Dita e Flamurit, shpresoj pranë familjes time. Ditë, e cila duhet të na bashkojë të gjithë shqiptarët, duhet t’i lëmë të gjitha politikat që po zhvillohen, të bashkohemi, të jemi bashkë.”, - tha një qytetar tjetër.
 
“Unë do ta festoj me familjen në shtëpi.”, - u shpreh një qytetar.
 
Shkollat shqipe në vendbanimet shqiptare, përfshi shkollën fillore “Adem Jashari” në Çair të Shkupit, kanë organizuar manifestime të shumta për të shënuar festën kombëtare 28 Nëntorin - Ditën e Flamurit dhe e Pavarësisë së shtetit shqiptar, por edhe ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari.
 
“Pikërisht për këtë ditë të flamurit, ne si shkollë, si arsimtarë dhe bashkë me nxënësit, kemi përgatitur një program të pasuruar me pika letrare sikur që janë poezitë, me vallëzim dhe të gjitha i janë të përkushtuara Ditës së Flamurit.”, - theksoi arsimtarja e gjuhës shqipe, Selvije Bakiju.
 
“Sot jemi mbledhur për të shënuar 28 Nëntorin, ditën kur u shpall pavarësia e Shqipërisë dhe kur flamuri ynë u ngrit si simbol i dinjitetit, sakrificës dhe vullnetit të pathyeshëm për liri. Kjo ceremoni merr një rëndësi të veçantë, sepse zhvillohet në një shkollë ku mban emrin e udhëheqësit të pavarësisë, Ismail Qemajli. Emri i tij është i lidhur me ditën e sotme, po aq sa flamuri që valëvitet me krenari, sepse ishte ai që i dha kombit drejtim, vizion dhe qartësi në momentet më vendimtare të historisë sonë. Korridoret e kësaj shkolle janë nën frymën e personaliteteve që lanë gjurmë në identitetin tonë kombëtar.”, - u shpreh kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti. 
 
“Për Ditën e Flamurit kam përgatitur një poezi të Ilir Shaqirit “Poçari”.”, - tha një nxënëse. 
 
“Për Ditën e Flamurit kam përgatitur një poezi “Edhe Adem Jashari fjalë na paska çu”.”, - tha një nxënës.
 
“Shkolla jonë ka përgatitur disa valle, poezi. Edhe klasat e ulëta. Do të marr pjesë me poezi.”, - tha një nxënës tjetër.
 
“Ditën e Flamurit e festoj me gjithë zemër me shokë me shoqëri.”, - u shpreh një nxënës.
 
Me rastin e 28 Nëntorit, urime për qytetarët shqiptarë kanë përcjellë edhe krerët institucionalë në Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi; zëvendëskryeministrin Arben Fetai; si dhe liderët e partive politike, Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Zeqirja Ibrahimi nga VLEN; kreu i BDI-së, Ali Ahmeti; si dhe krerët e dy krahëve të ASh-së; Ziadin Sela, Arben Taravari dhe Menduh Thaçi. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI