Maqedoni
Helmimi i nxënësve në Sh. F. “Dimo Haxhi Dimov”, vazhdon verifikimi i shkaktarit të helmimit
28.11.2025 16:22
Derisa akoma verifikohen shkaktarët e helmimit masiv të dhjetëra nxënësve në shkollën fillore “Dimo Haxhi Dimov”...

Derisa akoma verifikohen shkaktarët e helmimit masiv të dhjetëra nxënësve në shkollën fillore “Dimo Haxhi Dimov”, ndërmarrja publike “Ujësjellës dhe Kanalizimi” në Shkup, njoftoi se sipas rezultateve të monitorimit të jashtëzakonshëm, uji nuk ka qenë shkaktar i helmimit të nxënësve.
“Sektori për kontroll sanitar ka marrë 4 mostra nga dy lokacione (klasë dhe kuzhinë), nga të cilat dy për analizë fiziko–kimike dhe dy për analizë mikrobiologjike. Nga rezultatet e marra, të gjitha mostrat fiziko–kimike dhe mikrobiologjike përputhen me Rregulloren për kërkesat për sigurinë dhe cilësinë e ujit për pije (Gazeta Zyrtare e RM nr. 183/18), dhe konstatojmë se uji në SHFK “Dimo Haxhi Dimov” në Komunën e Karposhit është i rregullt nga ana sanitare dhe mund të përdoret pa asnjë pengesë.”, - kanë njoftuar nga Ndërmarrja Publike “Ujësjellës dhe Kanalizim” – Shkup.
Nga Instituti i Shëndetit Publik sot në konferencën për shtyp njoftuan mbi analizën e mostrave të marra gjatë inspektimit të datës 26 nëntor. Uji i marrë nga 6 rubinetat, deri tani mikro-biologjikisht është i kënaqshëm, por sipas protokolleve duhet të pritet dhe një ditë, që rezultatet të jenë të sigurta.
Nga dy materialet e siguruara nga Klinika e Fëmijëve, njëri nga fëmijët është pozitiv në Norovirus, virus i cili deklarojnë se mund të japë pasqyrë kimike të ngjashme me atë të shqetësimeve të stomakut, dhe është virus që përhapet lehtësisht dhe qëndron në sipërfaqe. Procesi i verifikimit të shkaqeve do të vijojë gjatë ditës së nesërme.
“Qumështi Musli dhe kroasanët tani për tani, në aspekt mikrobiologjik i përmbushin kushtet. Deri në ora 16:00 do të ketë rezultate edhe për musakën. Nga sipërfaqet e punës së kuzhinës, nga rubinetat deri te enët në të cilat është konsumuar ushqimi, mund të them se nga 9 sipërfaqet e analizuara, 3 janë pozitive, pozitive janë 2 rubinetat nga dy klasat dhe rubineta e kuzhinës. Nga këto sipërfaqe janë gjetur baktere nga grupi Enterobakteriace, baktere gram negative, të cilat mund të japin simptomatologji të ngjashme me atë që tregon pasqyra klinike e fëmijëve të helmuar dhe dëshmon për mungesë të higjienës.”, - thonë nga Instituti i Shëndetit Publik.
Edhe një nxënës është hospitalizuar mbrëmë në Klinikën për Fëmijë, ndërsa 6 të tjerë janë paraqitur në ambulantë me simptoma më të lehta dhe të njëjtët nuk janë hospitalizuar, ka njoftuar sot në linjë telefonike drejtori i Klinikës për Fëmijë, Rexhep Memeti.
“Këto ditë ne kemi pranuar gjithsej 7 fëmijë me simptoma të ngjashme, sa i përket dyshimeve për helmim me ushqim. Bëhet fjalë për fëmijë të cilët vijnë nga e njëjta shkollë. Kanë marrë trajtimin e duhur dhe janë në gjendje stabile shëndetësore, 3 nga të cilët sot janë lëshuar për trajtim në shtëpi.”, - deklaroi drejtori i Klinikës për Fëmijë, Rexhep Memeti.
Kryeministri i vendit bëri thirrje që të mos bëhen gjykime dhe drama mediatike, duke demantuar lajmet se djali i tij është në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai bëri thirrje që të priten rezultatet zyrtare të inspektimeve.
“Të lëmë që institucionet të inspektojnë dhe të vërtetojnë shkaqet, a ka ardhur helmimi si pasojë e ushqimit apo ndonjë faktori tjetër, siç jam i informuar unë. Agjencia për Ushqim dhe Veterinari po i bëjnë inspektimet e duhura, të presim dhe të mos japim gjykime.”, - theksoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Nga Instituti i Shëndetit Publik u bënë thirrje prindërve të fëmijëve të hospitalizuar dhe atyre që kanë shfaqur simptoma të dorëzojnë materiale në Institutin e Shëndetit Publik sot deri në përfundim të ditës dhe gjatë ditës së nesërme, në mënyrë që t’i ndihmojnë procesit të verifikimit të shkaqeve të helmimit.
ARLINDA BAFTIU
