Maqedoni
Në garanë të Kërçovës u përurua monumenti i Skenderbeut
28.11.2025 17:19
Dita e Flamurit - 28 Nëntori u kremtua edhe në Kërçovë...

Për nder të kësaj feste, sot në fshatin Garanë të Kërçovës u përurua monumenti i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skenderbeu.
Aktivitetet për shënimin e Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së shtetit shqiptar filluan me programet festive të organizuara nga shkollat fillore dhe të mesme, por manifestimi qendror u mbajt në fshatin Garanë të Kërçovës, ku u përurua monumenti i kryetrimit legjendar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një projekt i cili u konkretizua me mbështetjen e shoqatave të mërgimtarëve të këtij fshati në Zvicër dhe Amerikë.
Vendosja e monumentit të Skënderbeut në fshatin Garanë është një ngjarje historike, sepse kjo ditë shënon fillimin e epopesë së lavdishme të kombit tonë, tha historiani Dardan Emini.
Ky nëntor i Skënderbeut sot është i mrekullueshëm gjithandej, sepse ai festohet në Prishtinë, Vlorë, Prekaz e Prizren, potencoi kryetari i BDI-së dhe komandanti i UÇK-së, Ali Ahmeti, i cili së bashku me ushtarët e UÇK-së nga ky fshat zbuloi solemnisht monumentin madhështor të Skënderbeut.
Pjesë e këtij manifestimi ishin edhe interpretimet e bukura të vëllezërve Dervishi dhe grupit arbëresh nga Italia.
SHABAN DALIPI
