Shqipëri, shënohet dita e çlirimit

29.11.2025 17:06

Sot shqiptarët festojnë 81-vjetorin e çlirimit të atdheut...

Sot shqiptarët festojnë 81-vjetorin e çlirimit të atdheut nga pushtimi nazi-fashist. Krerët më të lartë të shtetit shqiptarë dhe diplomatët e huaj nderuan Dëshmorët e Atdheut, ndërsa pranë memorialit “Nëna Shqipëri”, nuk munguan ithtarët e diktatorit Enver Hoxha.

Teksa kryhej ceremonia shtetërore e homazheve, protokolli nuk lejoi të hynin anëtarë të Partisë Komuniste, dhe as të tjerët që kishin ardhur me vonesë.

Urimet, krerët e shtetit i bënë përmes rrjeteve sociale.

Ilir Meta nuk mund të vendoste kurorë me lule, por nga qelia, ai e uroi ditën e çlirimit. Homazhet i kreu Sekretari i Përgjithshëm i Partisë, Tedi Blushi.

Demokratët edhe këtë vit, të bindur se gjermani i fundit ka ikur nga Shkodra më 28, nuk e celebruan festën kombëtare.

Në Shqipëri, dje u kremtua edhe 113-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë me një atmosferë patriotike. Festimet u mbyllën në mbrëmje me një pritje që kreu i shtetit, Bajram Begaj, pati në Pallatin e Brigadave.

“Pavarësia sot nuk matet vetëm me histori. Pavarësia matet me standarde. Pavarësia matet me cilësinë e shërbimeve publike. Pavarësia matet me besimin e qytetarëve tek institucionet. Pavarësia matet me drejtësi funksionale. Këto janë sfidat që na bashkojnë, pavarësisht bindjeve politike”, - tha Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Pjesë e ceremonisë ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe bashkëshorti i saj. (Luljeta Ndoka, TVM2)