Lufta kundër Sida-s, ISHP: 38 raste të reja me HIV dhe 8 të vdekur

29.11.2025 18:54

Me rastin e 1 Dhjetorit – Ditës Botërore të Luftës kundër SIDA-s...

Me rastin e 1 Dhjetorit – Ditës Botërore të Luftës kundër SIDA-s, ISHP ka përgaditur raport për gjendjen e pacientëve me HIV.

Gjatë vitit 2025 në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 38 persona të rinj me HIV, që përfaqëson një incidencë prej 2,1 raste për 100.000 banorë. Krahasuar me vitin e kaluar që ishin  51 raste numri i rasteve këtë vit është më I ulët me 25,5%.

Në vendet e BE-së incidenca për vitin 2024 ishte 5,3 raste për 100.000 banorë. Në vitin 2025 shumica e rasteve të reja janë banorë të Shkupit, ndërsa pjesa tjetër paraqiten si raste të izoluara në 14 qytete të ndryshme të vendit.

Një rast i regjistruar është i një shtetasi të huaj. Sipas ISHP-së 8 persona kanë humbur jetën nga shkaqe të lidhura me SIDA-n.  Nga 38 rastet e reja, 37 janë meshkuj dhe vetëm 1 femër.

Mosha mesatare e të infektuarve është 35 vjeç, me diapazon nga 23 deri në 64 vjeç. ndërsa 73,7% e rasteve janë në grupmoshën 20–39 vjeç.

Nga viti 1987 deri në vitin 2025 janë regjistruar gjithsej 726 raste me HIV/SIDA dhe RMV  konsiderohet  si  vend me prevalencë të ulët të HIV-it.. Megjithatë, ka një rritje të dukshme vitet e fundit  32% e të gjitha rasteve janë regjistruar vetëm në pesë vitet e fundit, ndërsa në të njëjtën periudhë kanë vdekur 138 persona nga shkaqe të lidhura me SIDA-n, që përfaqëson një shkallë vdekshmërie prej 18,2%.

Sipas ISHP-së, terapia antiretrovirale ka përmirësuar ndjeshëm mbijetesën e njerëzve që jetojnë me HIV.

Në 10 vitet e fundit, nga 447 rastet e regjistruara, vetëm 33 kanë përfunduar me fatalitet. Poashtu  62,1% e rasteve janë burra që kanë pasur marrëdhënie seksuale me burra.

Transmetimi heteroseksual është regjistruar tek 229 raste

Sëmundja  HIV, është  ende një problem global i shëndetit publik dhe  mbetet një nga sfidat më të mëdha globale. Sipas statistikave  rreth 44,1 milion  persona kanë përfunduar me fatalitet  nga SIDA. Transmetimi i virusit vazhdon të ndodhë në të gjitha vendet e botës.  

Në fund të vitit 2024 në botë jetonin 40,8 milion njerëz me HIV, prej të cilëve 65% në Afrikë. Gjatë vitit 2024, rreth 630.000 persona humbën jetën nga shkaqe të lidhura me HIV-in.

Rreth 1,3 milion njerëz u infektuan rishtazi me HIV

Ndonëse nuk ekziston një kurë për HIV-in, falë parandalimit efektiv, diagnozës së hershme, terapisë antiretrovirale dhe kujdesit të vazhdueshëm, përfshirë trajtimin e infeksioneve oportuniste, HIV është shndërruar në një sëmundje kronike e kontrollueshme. Kjo u mundëson pacientëve  me HIV të jetojnë jetë të gjatë dhe të shëndetshme.

Çdo vit në vend, 46 persona sëmuren me HIV dhe 440  marrin trajtim. Këta pacientë janë të pakënaqur për shkak të mosparashikimit të mjeteve minimale të nevojshme për trajtim dhe parandalim në Programin për Mbrojtjen e Popullsisë nga infeksioni HIV në buxhetin e vitit 2025. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)