“NBA CUP 2025”, Lejkersat fituan derbin me Dallasin
Me ndeshjet e zhvilluara sot në mëngjes sipas kohës sonë lokale NBA Cup 2025 ka mësuar tetë skuadrat më të mira...

Në kryendeshjen e mbrëmjes L.A Lakers me 129-119 e mundi Dallas Mavericks dhe kështu pa humbje u kualifikuan në ¼ e finales së kupës së NBA-së. Austin Reaves shënoi 38 pikë, ndërsa Luka Donçiç me dabëll –dabëll, 35 pikë e 11 asistime e përfundoi takimin. Në çerekfinale ekipin nga Kalifornia e presin teksanët e San Antonio-s, të cilët mundën Denver-in.
Pas një loje mjaft interesante me Phoenix Suns, mbajtësit e titulllit të kampionit Oklahoma City, iu gëzua fitores me 123-119 edhe atë falë Shai Gilgeous-Alexander, që ndeshjen e përfundoi me 37 pikë, prej të cilave 15 i shënoi në çerekun e fundit.
Këta tani kanë përpjestimin sezonal 19 fitore e 1 humbje. Oklahoma garat në grupin e tyre i përfundoi para Phoenix Suns, të cilët më tej kalojnë me ftesë nga Konferenca e Perëndimit dhe sërish në çerekfinale do të përballen me OKC-në.
Orlando Magic shënuan një fitore të madhe ndaj Detroit Pistons, duke siguruar një vend në mesin e 8 më të mirave, ashtu sikurse San Antonio Spurs, të cilët e mundën Denverin.
Sa i përket Konferencës së Lindjes, Knicks mposhtën Milwaukee-n dhe kaluan në çerekfinale ku i pret Toronto. Të gjitha ndeshjet e kupës së NBA-së, përpos ajo e finales, llogariten për pjesën e rregullt të kampionatit. Turneu përfundimtar (Final Four) nga 13-16 dhjetor do të luhet në Las Vegas.
Dyshet e ¼ së finales NBA Cup:
Orlando Magic - Miami Heata
Toronto Raptors - New York Knicks
Oklahoma City Thunder -Phoenix Suns
Los Angeles Lakers - San Antonio Spurs
