Zgjedhjet e dhjetorit në Kosovë, Basha fton bashkëatdhetarët që votojnë në masë

29.11.2025 20:23

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha...

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka drejtuar një apel për të gjithë bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit, duke i ftuar të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Në mesazhin e tij, Basha shprehu mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm që diaspora jep në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.

“Të dashur bashkatdhetarë, ju falënderoj për kontributin e vazhdueshëm që jepni për shoqërinë dhe shtetin tonë. Ju ftoj që me të njëjtin angazhim dhe përgjegjësi të bashkoheni masivisht në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Në emër të Kuvendit, mirënjohje për ju”. – tha Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.

Ai rikujtoi se të gjithë qytetarët jashtë Kosovës mund të votojnë sipas mënyrave të përcaktuara: fizikisht në ambasada, përmes postës, apo duke udhëtuar drejt Kosovës.

Sipas Bashës, pjesëmarrja e diasporës është thelbësore për forcimin e proceseve demokratike në Kosovë.

Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është duke vazhduar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda së njëjtës komunë, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 28 dhjetor.

Gjatë periudhës 11-ditore, nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor 2025, të gjithë qytetarët me të drejtë vote mund të verifikojnë Qendrën e tyre të Votimit dhe, nëse dëshirojnë, mund ta ndryshojnë atë brenda komunës ku janë të regjistruar.