Pezullimi i Ballukut nga GJKKO, Rama: Vendimi absurd, kushtetuesja t’i japë drejtim

30.11.2025 17:51

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka quajtur sërish absurd vendimi e siç thotë, një prokurori dhe një gjykatësi, për të pezulluar një anëtar të kabinetit qeveritar, përkatësisht zv/kryeministren, Belinda Balluku.

Pret që Gjykata Kushtetuese t’i japë drejtim çështjes, e cila, sipas tij, përbën precendencë në Europë.

“Pezullimi i një ministri është në vetvete absurd si koncept, sepse të pezullosh një ministër nuk do të thotë të pezullosh thjesht një individ -një funksionar publik të cilitdo nivel – por do të thotë të pezullosh një autoritet me fuqi ekskluzive vendimmarrëse në një a më shumë sektorë dhe kësisoj t’i pamundësosh ministrisë përkatëse të përfaqësohet në Këshillin e Ministrave e t’i propozojë qeverisë vendimet e përjavshme për ecurinë e sektorit. Kjo është një nonsens absolut. Prandaj ministri ose rri në detyrë, ose largohet nga detyra:

me dorëheqje,

nga Kryeministri,

apo in extremis me dënim të formës së prerë sipas ligjit.

Tjetër nuk ka. Prokuroritë e Gjykatat nuk hyjnë fare në këtë mes dhe nuk e bëjnë kurrësesi këtë. Asnjëherë. Askund në Europë.

E nëse Shqipëria do të hynte në analet e historisë së drejtësisë europiane me një shpikje të tillë, kjo do të ishte, largqoftë, një shfaqje ulëritëse papjekurie demokratike dhe institucionale. Uroj që Gjykata Kushtetuese t’ia kursejë këtë shfaqje Shqipërisë”, - tha Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.