Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, sot përfundon afati për certifikim të pjesëmarrjes
Në Kosovë sot përfundon afati...

Në Kosovë sot përfundon afati për subjektet politike për aplikim për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhje; afati për partitë politike për deklarim të koalicioneve dhe afati për njoftim të mospjesëmarrjes në zgjedhje.
Pra, këto afate, të cilat kanë filluar më 24 nëntor, do të përfundojnë më 30 nëntor 2025, në mesnatë. Me qëllim të lehtësimit të aplikimit, fillimisht për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje dhe pastaj për dorëzimin e listës me emrat e kandidatëve për deputetë, KQZ ka funksionalizuar platformën elektronike, e cila do t’iu shërbejë subjekteve politike për të paraqitur aplikimin e tyre online.
Deri dje, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike në KQZ është njoftuar për formimin e dy koalicioneve për pjesëmarrje në zgjedhje, si: koalicioni “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga 3 parti politike dhe Koalicioni VAKAT, poashtu i përbërë nga 3 parti politike.
KQZ ka rikujtuar se koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike. Partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jete certifikuar deri sa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ.
Gjithashtu partia politike e cila është anëtare e koalicionit nuk mund të marr pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo edhe si parti e veçantë në të njëjtat zgjedhje.
