Botë

Negociata ShBA – Ukrainë, territori dhe siguria në qendër të bisedimeve

01.12.2025 11:24

Territori dhe garancitë e sigurisë janë tema kryesore e raundit të parë të negociatave mes ShBA-së dhe Ukrainës në Florida....

Territori dhe garancitë e sigurisë janë tema kryesore e raundit të parë të negociatave mes ShBA-së dhe Ukrainës në Florida. Bisedimet janë vazhdimësi e takimit në Gjenevë, ku përfaqësues nga Uashingtoni, Kievi dhe Brukseli rishikuan propozimin fillestar prej 28 pikash për paqe – një plan që fillimisht kërkonte lëshime të mëdha nga pala ukrainase. I dërguari i posaçëm, Uitkof, pritet të udhëtojë drejt Moskës për t’u takuar me presidentin rus Vlladimir Putin.
 
“Ne nuk duam thjesht ta përfundojmë luftën, por duam t’i ndihmojmë edhe Ukrainës të jetë e sigurt përgjithmonë, që të mos përballet kurrë më me një tjetër pushtim. Duam që populli ukrainas të dalë nga kjo luftë jo vetëm për ta rindërtuar vendin, por për ta bërë atë më të fortë dhe më të begatë se kurrë më parë.”, - deklaroi sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio.
 
“Qëllimi ynë është një Ukrainë e fortë dhe e begatë. Diskutuam për të ardhmen dhe për të gjitha çështjet e rëndësishme për Ukrainën dhe popullin e saj, dhe ShBA-ja tregoi mbështetje të fuqishme. Kemi pasur tashmë një takim të suksesshëm në
Gjenevë dhe vazhduam me të njëjtin ritëm. Ky takim ishte produktiv dhe i suksesshëm.”, - theksoi shefi i ekipit negociator të Ukrainës, Rustem Umerov.
 
Bisedimet vijnë në një periudhë kur Ukraina po përballet me një skandal të madh korrupsioni prej 100 milionë dollarësh. Andrij Jermak, këshilltari kryesor i presidentit Zelenski dhe shef i ekipit negociator, dha dorëheqjen pas akuzave për lidhje me rastin. Në vend të tij u emërua Rustem Umerov, sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes. Presidenti Tramp deklaroi se situata me korrupsionin nuk është e dobishme për procesin e paqes, por siguroi se ka shanse reale për arritjen e një marrëveshjeje.
 
“Duam të parandalojmë vrasjen e njerëzve. Kjo nuk ka shumë të bëjë me ne, por do të doja të shihja nëse mund të shpëtojmë sa më shumë jetë. Shumë njerëz po vriten. Muajin e kaluar patëm 27.000 të vrarë në atë luftë të pakuptimtë që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë.”, - u shpreh presidenti amerikan, Donald Tramp.
 
Ndërkohë në Bruksel, ministrat e Mbrojtjes të BE-së po zhvillojnë një takim në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
 
FARIJE DAUTI BAKIU