Kumanovë, Bejli dhe Çavkov vizituan “Lagjen e trimave”
Për herë të partë pas aksionit policor të 9 dhe 10 majit,” Lagjen e trimave” në Kumanovë e vizitoi ministri i Brendshëm, Mitko Çavkov, i shoqëruar edhe nga ambasadori amerikan në Maqedoni, Xhes Bejli...

Ministri, Mitko Çavkov, potencoi se situata në Kumanovë është e qetë. I pyetur nëse policia dështoi gjatë aksionit të para dy javëve, ministri Çavkov tha se policia ka vepruar sipas të gjitha procedurave për përballje me situata të tilla.
“Kumanova është e sigurt. Ato ishin ngjarje të izoluara nga individë dhe grupe kriminale, që nuk gjetën mbështetje tek popullata lokale. Ju garantoj si ministër i Punëve të Brendshme se policia në mënyrë intensive do të punojë në zbulimin në kohë të kërcënimeve eventuale dhe do të reagojë në kohë. Forcat e sigurisë nuk dështuan dhe kur morëm informacione relevante, ne ndërmorëm një sërë masash dhe aktivitetesh për t’i analizuar këto informata dhe për të reaguar sipas procedurës për informatat e njëjta. Bëmë plane për aksionin operativ, për përballje me rreziqet potenciale dhe efekti ishte eliminimi i grupit kriminel që veproi në Kumanovë”- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov.
Banorët e lagjes i kanë sqaruar ambasadorit amerikan se çfarë ndodhi atje. Bejli deklaroi se Kumanova tregoi se ky rast nuk kishte prapavijë etnike dhe për herë të parë, sipas tij, qytetarët u solidarizuan bashkë.
“Shpreha ngushëllime për humbjen e policëve të guximshëm dhe shqetësimin tim për traumën përmes së cilës kaluan qytetarët. Por, më e rëndësishmja, admirova faktin se si qytetarët u bënë të gjithë bashkë gjatë këtij incidenti dhe refuzuan që ngjarja të cilësohet si një konflikt ndëretnik dhe nuk pranuan dhunën. Dhe mendoj se ky është një mesazh shumë i rëndësishëm, prandaj jam këtu të shpreh shqetësimin dhe miqësinë e ShBA-ve dhe të flas me autoritetet lokale rreth asaj se si ta ruajmë këtë atmosferë dhe bashkëpunimin mes komuniteteve”- tha ambasadori i SHBA-ve në RM, Xhes Bejli.
Kryetari i Kumanovës, Zoran Damjanovski, shpreson që në të ardhmen Ministria e Brendshme do të bashkëpunojë më ngushtë me pushtetin lokal për të tejkaluar më lehtë ngjarje të tilla para se ato të eskalojnë.
“Shpresoj që ministri në të ardhmen të shpreh dëshirë për bashkëpunim me pushtetin lokal, të na vizitojë dhe të marrë parasysh informacionet tona rreth gjendjes këtu dhe për mënyrën se si t’i tejkalojmë situatat”- theksoi kryetari i Komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski.
Ministri i Brendshëm, ndërkohë, shprehu kënaqësinë që besimi i qytetarëve tek policia po rritet gjithnjë e më tepër dhe këtë e tregojnë, sipas tij, edhe raportet e OSBE-së. Ai premtoi bashkëpunim më të shtruar me autoritetet lokale dhe me komunitetin me të vetmin qëllim, të kthimit të qetësisë në këtë bashkësi dhe ngritje e mëtejshme e besimit të qytetarëve tek policia. (Nexhat Aqifi, TVM2)
