Maqedoni
Fakulteti Filozofik, promovohet zonë interneti falas
01.12.2025 13:55
Andonovski paralajmëron se në periudhën e ardhshme, të gjitha sallat e leksioneve, amfiteatrot, bibliotekat dhe zyrat, duhet të kenë internet falas...

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në bashkëpunim me Fakultetin e Filozofisë në Shkup, kanë promovuar një zonë interneti falas në hapësirat e këtij fakulteti, për çka Ministria e Transformimit Digjital ka ndarë 10 milionë denarë. Andonovski njëherit paralajmëron se në periudhën e ardhshme, të gjitha sallat e leksioneve, amfiteatrot, bibliotekat dhe zyrat, duhet të kenë internet falas.
"Ky projekt është fillim i një iniciative më të madhe dhe të dyja këto pajisje kanë kushtuar diku rreth 10 milionë denarë, me të cilën po e fillojmë këtë proces. Fillimisht, ne kishim idenë që këtë iniciativë të internetit falas ta fillojmë nga konviktet studentore, por pastaj kuptuam se shumica prej tyre këtë tanimë e kishin siguruar me kapacitet të kufizuar, prandaj tani fokusi ynë do të jetë që të sigurohen me internet falas, ato hapësira të cilat nuk kanë një gjë të tillë. Mund të njoftoj se kjo është zona e parë e tillë që Ministria e Transformimit Digjital siguron nga fondet e veta.”, - deklaroi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.
Dekani i Fakultetit Filozofik, Oliver Bakrevski, ka mirëpritur projektin, ndërsa theksoi se është veçanërisht i rëndësishëm për ta, para jubileut të 105-vjetorit të Fakultetit të Filozofisë.
“Institucionet tona kanë një qëndrim të qartë dhe dominues se për të gjitha çështjet të cilat janë në interes të përbashkët dhe të cilat janë të lidhura me botën akademike duhet të ndihmohemi. Këtë masë do të mund të përdorin më shumë se 700 studentë.”, - theksoi dekani i Fakultetit Filozofik, Oliver Bakreski.
Ministri iu referua edhe projektit të kuponave për pajisje elektronike për studentët, duke theksuar se këto dy projekte bëjnë të mundur kapërcimin e hendekut digjital që ekziston midis studentëve.
FITIM KRYEZIU
