Botë

Rriten tensionet ShBA – Venezuelë, Karakasi kërkon hetim pas sulmit në Karaibe

01.12.2025 14:27

Pasi ShBA-ja kreu sulmin ndaj një anijeje venezueliane, qeveria e Venezuelës vendosi të kërkojë një hetim...

Tre muaj pasi ShBA-ja kreu sulmin e parë ndaj një anijeje venezueliane në Karaibe, në fillim të shtatorit, qeveria e Venezuelës vendosi të kërkojë një hetim që do të udhëhiqet nga një komision i Asamblesë Kombëtare.
 
“Do të thërrasim një seancë të jashtëzakonshme të Asamblesë Kombëtare, me qëllim që të propozojmë formimin e një komisioni të përbërë nga deputetë. Ky komision i posaçëm do të hetojë ngjarjet serioze që çuan në vrasjen e venezuelianëve në ujërat e Karaibeve.”, - deklaroi kryetari i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Horhe Rodrigez.
 
Presidenti amerikan njoftoi se hapësira ajrore në dhe rreth Venezuelës duhet të konsiderohet e mbyllur. Ai akuzon presidentin Maduro për drejtimin e një organizate të supozuar narko-terroriste dhe synon të ndalojë tregtinë e drogës.
 
“Po bëjnë një punë të jashtëzakonshme. Dhe, thjesht shikoni shifrat. Sasia e drogës që hyn në vendin tonë nga deti është më e vogël krahasuar me vetëm disa muaj më parë. Mendoni këtë: çdo anije, mesatarisht është përgjegjëse për vdekjen e 25.000 amerikanëve nga droga që hynë në vendin tonë.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp. 
 
Deklarata shkaktoi reagime të ashpra në Karakas, pas së cilës autoritetet akuzuan ShBA-në për sjellje kolonialiste. Qeveria venezueliane i hodhi poshtë akuzat si të rreme dhe e akuzoi Trampin se po përpiqet të marrë kontrollin e naftës dhe ta largojë Maduron nga pushteti.
 
FARIJE DAUTI BAKIU