Efikasiteti energjetik, Neziri: Qeveria nxit transformimin
Përmirësimi i efikasitetit energjetik është segment shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit, vlerësoi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.....

Përmirësimi i efikasitetit energjetik është segment shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit, vlerësoi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, me rastin e promovimit të projektit “Nxitja e transformimit të tregut për efikasitet energjetik”, projekt i cili ka për qëllim përmirësimin e performansave energjetike, ekologjike dhe ekonomike të sektorit industrial.
“Qeveria e RM-së në vitin 2010 e ka miratuar strategjinë për përparimin e efikasitetit energjetik në RM-së deri në vitin 2020. Strategjia ka vendosur qëllimin për të arritur kursimin e energjisë në vlerë prej 9% në konsumin final të energjisë në disa sektorë të rëndësishëm, siç është sektori rezidencial, komercial, sektori i shërbimeve publike, sektori industrial dhe ai i transportit. Për realizimin e kësaj strategjie, në vitin 2011 qeveria e miratoi planin e parë aksional për efikasitet energjetik”- tha ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Neziri po ashtu informoi se në pajtim me strategjinë për përparimin e efikasitetit energjetik, për realizimin e masave të parapara deri në vitin 2020 janë paraparë 552 milion euro, ndërsa, sipas tij, me realizimin e këtyre masave do të arrihen kursime të përgjithshme rreth 1 miliard e 230 milion euro. Edhe përfaqësuesit e UNIDO-s theksuan se ky projekt është me rëndësi të veçantë për industrinë e vendit.
“UNIDO beson se tema për efikasitet energjetik është me rëndësi të veçantë si për industrinë e Maqedonisë ashtu edhe për industrinë globale. Efikasiteti energjetik mund të bëjë diferencë në pjesën e profitit të kompanive industriale, ndërsa në disa raste mund të jetë edhe faktori kyç për mbijetesën e kompanive”- theksoi këshilltari për zhvillim industrial në UNIDO, Marko Matteini.
Sipas zëvendëskryeministrit, Vlladimir Peshevski, me implementimin e këtij projekti, industritë do të kenë përfitime të mëdha edhe në uljen e misioneve të gazrave të qelqta. (Ersan Pajaziti, TVM2)
