Maqedoni
Tetova dhe Çairi shpallën ditë zie, nderojnë artistin Shpat Kasapi
01.12.2025 15:06
Komuna e Tetovës ka ulur flamujt në gjysmë shtize dhe ka shpallur ditë zie në të gjithë territorin e saj...

Komuna e Tetovës ka ulur flamujt në gjysmë shtize dhe ka shpallur ditë zie në të gjithë territorin e saj për nder të artistit të madh tetovar Shpat Kasapi, i cili ndërroi jetë më 26 nëntor në Itali, si pasojë e një sulmi në zemër. Zëvendëskryetari i Tetovës, Albi Qamili, tha se kjo është më e paktë që mund të bëjë Tetova për Shpat Kasapin, duke theksuar se për nder të Kasapit komuna do të organizojë edhe një mbledhje komemorative.
“Me të vërtetë Tetova, por e gjithë shqiptaria humbi një artist të madh, një këngëtar të madh, mbi gjitha humbi një djalë të buzëqeshur, një djalë që rrezatonte vetëm dashuri dhe pozitivitet. Nga momenti që kemi marr lajmin, ne kemi qëndruar afër familjes, siç e dini, dje këshilli komunal ka shpallur ditën e hënë 1 dhjetorin ditë zie në nder të artistit Shpat Kasapi. Kjo nuk do jetë e vetme, ne do të organizojmë edhe një mbledhje komemorative.”, - u shpreh nënkryetari i Komunës se Tetovës, Albi Qamili.
Ditë zie për vdekjen e Shpat Kasapit ka shpallur edhe Komuna e Çairit, nga e cila njëherësh njoftuan se të martën në Teatrin Shqiptar në Shkup do të mbahet mbledhje komemorative dhe do të hapet Libri për ngushëllim deri të premten.
“Sot, në mbledhjen e 4-të të jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës së Çairit, u mor vendimi që e hëna, më 1 dhjetor 2025, të shpallet ditë zie në territorin e komunës sonë. Ky vendim reflekton pikëllimin dhe respektin e çairasve për humbjen e papritur të këngëtarit Shpat Kasapi. Të martën, më 2 dhjetor 2025, në orën 13:00, në Teatrin Shqiptar në Shkup do të mbahet mbledhja komemorative, ku së bashku me qytetarët, miqtë dhe artdashësit do të nderojmë kujtimin dhe kontributin e tij. Libri i ngushëllimeve do të jetë i hapur nga e marta deri të premten, në Teatrin Shqiptar, për të gjithë ata që dëshirojnë të lënë mesazhin e tyre.”, thuhet në komunikatën me shkrim nga Komuna e Çairit.
Shpat Kasapi u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare. Ai të dielën u varros në varrezat e qytetit të Tetovës, ku pjesëmarrës ishin shumë artistë nga të gjitha trojet shqiptare, qytetarë të Tetovës dhe qyteteve tjera shqiptare. Nuk munguan edhe funksionarë shtetërorë e liderë të partive politike të vendit tonë.
VISAR SADIKI
