Maqedoni

Konferenca kombëtare për HIV, këtë vit 38 raste të reja me HIV

01.12.2025 15:19

Në Maqedoni ka rreth 700 persona që jetojnë me HIV, ndërsa vetëm këtë vit janë regjistruar 38 raste të reja....

Në Maqedoni ka rreth 700 persona që jetojnë me HIV, ndërsa vetëm këtë vit janë regjistruar 38 raste të reja. Vlerësohet se rreth 30 për qind e personave të prekur me HIV nuk janë të diagnostikuar. Nga ata tek të cilët virusi është konfirmuar, 90 për qind janë nën terapi dhe kanë trajtim të suksesshëm. Sfidë më e madhe mbetet diagnostikimi i hershëm.
 
“Edhe pse autoritetet shëndetësore bëjnë më shumë teste në numër, prapë se prapë organizatat qytetare janë më të suksesshme me 12% në diagnostikimin e qytetarëve për HIV pozitiv. Të dhënat flasin se organizatat qytetare zbulojnë 1 HIV pozitiv në 150 teste të kryera. Ndërsa institucionet shëndetësore zbulojnë 1 person me HIV pozitiv nga 1.150 të testuar.”, - deklaroi udhëheqësja e Programit në “HERA”, Olivera Stojkovska.
 
“Atë që e vërejmë kohës së fundit është fakti se ka rritje të vetëdijes tek të rinjtë për virusin HIV, por për fat të keq, si duket kjo vetëdije vjen nga pop kultura, nga serialet, talk shoë, në rrjetet sociale e kështu me radhë, por nëpërmjet një sistemi të qëndrueshëm sistematik.”, - theksoi Andrej Senih nga Shoqata për Mbështetjen e Personave me HIV.
 
Për të ulur infeksionet me virusin HIV, nevojitet një qasje sistematike, por edhe ndryshime ligjore, theksuan përfaqësuesit e organizatave.       
 
“Është e rëndësishme që secili nga ne të mbajë llogari për veten e vet, të mbrohemi, të dimë statusin tonë. Gjithashtu do të mbështesja edhe Qeverinë, por edhe organizatat qytetare që edhe më tej të punojnë me përkushtim në ngritjen e vetëdijes.”, - u shpreh ambasadori i Zvicrës në RMV, Kristof Somer.
 
“Zvicra sjell programe preventive dhe tretmane në nivel global, në nivel ndërkombëtar dhe nivel lokal, me investim prej 64 milionë franga zvicerane.”, - theksoi përfaqësuesi i OBSh-së, Akim Ali.
 
Qasja deri tek terapia e nevojshme është gjëja më e rëndësishme për personat që jetojnë me HIV, pasi u mundëson përmirësim të gjendjes, si dhe jetë të shëndetshme dhe normale. Këtë vit, për herë të parë, janë siguruar barna për 24 muaj, gjë që e ul rrezikun e ndërprerjes së terapisë tek HIV pozitivët.
 
FITORE DEMOLLI