ShGM kërkon ligj të ri për reklamat qeveritare
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë kërkon nga qeveria të ndërpresë të gjitha fushatat qeveritare dhe kërkon që të njëjtat të rregullohen me ligj të posaçëm, ku do t’u ndalohet rreptësisht ndërmarrjeve publike të reklamohen dhe të shpenzojnë para për fushata politike pa pasur interes publik...

ShGM-ja vlerëson se praktika e deritanishme e shpenzimit të parave buxhetore për fushata në media ndikon mbi raportimin dhe pavarësinë e mediave.
“Me këto mjete të shpenzuara për tre muaj në mediat elektronike dhe të shtypura, qeveria është një ndër reklamuesit më të mëdha në media. Ky është rrezik serioz për korrupsion dhe krijon parakushte për të ndikuar mbi politikën editoriale të mediave, sepse ato trajtojnë apo nuk trajtojnë tema të ndryshme me interes të përgjithshëm në shoqëri. Njohuritë nga kjo analizë dëshmojnë se qeveria më shumë fushata publikon në mediat, që sipas mënyrës së raportimit mbështesin qeverinë, ndërsa më pak në ato mediat që janë kritike”- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
Nga ShGM-ja thonë gjithashtu se është e nevojshme në ligjin e ri të definohet qartë edhe interesi publik i fushatave të ardhshme, si dhe të mundësohet që i gjithë procesi i shpalljes së saj të jetë sa më transparent dhe në bazë të kritereve të qarta për shpërndarjen e mjeteve financiare.(Rexhep Qamili, TVM2)
