Mexhiti: Kultura, prioritet më i lartë i Komunës së Çairit
Kultura do të jetë në prioritetet më të larta të Çairit...

Kultura do të jetë në prioritetet më të larta të Çairit, ka deklaruar sot kryetari Mexhiti në ekspozitën përmbyllëse të kolonisë artistike, duke paralajmëruar planet e ardhshme për iniciativat kulturore. Mexhiti tha se vlerësojmë që kultura mund të kontribuojë edhe në zhvillimin ekonomik dhe lokal.
“Të sjellim edhe panairin e Librit të Tiranës të jetë në Shkup, hapjen e librarisë që i mungon viteve të fundit Çarshisë dhe Shkupit. Kemi parasysh se Çairi është bërë qytet studenti, me Inva Mulën u dakorduam që të krijojmë një pandan të Verës së Ohrit, mund të jetë festival i Çarshisë ose Vera e Çarshisë, që fillimisht të fillojë me Çairin, më pas të institucionalizohet në nivel qendror dhe të mbetet.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

Edicioni i 8-të i kolonisë artistike, ekspozitë përmbyllëse në Komunën e Çairit
Në ekspozitën përmbyllëse të edicionit të 8-të të kolonisë artistike u ekspozuan pikturat e artistëve nga rajoni, të cilët kanë derdhur në Telajo peizazhet e Çarshisë dhe të kryeqytetit, të frymëzuara nga qëndrimi i tyre disaditor në Shkup. Organizatori nga Instituti i Librit dhe Promocionit në Tiranë e konsideron këtë veprimtari një publicitet të jashtëzakonshëm për Shkupin dhe trashëgiminë materiale e shpirtërore.
“Imagjinoni se çfarë kontributi kanë dhënë piktorët e penelit nga i gjithë rajoni, jo vetëm nga Shqipëria dhe Maqedonia, që për 8 vite duke bërë një llogari të thjeshtë, rreth 45-50 piktorë, rreth 400 piktorë kanë kaluar në Shkup, vetëm gjatë këtyre viteve është një shifër për t’u shënuar.”, - theksoi organizatori i Kolonisë “Shkupi” në Telajo, Fatmir Toqi.
“Është një qytet ku ambienti të frymëzon, është qytet i pikturës. Është hera e dytë që vij në Shkup në koloninë e Shkupit dhe jam shumë e nderuar dhe e privilegjuar që marr pjesë në këtë koloni, ku piktorët e të gjitha trevave shqiptare jemi së bashku.”, - u shpreh piktorja, Merita Maloku.
Artistët falënderuan qytetarët për mikpritjen. Ekspozita mbetet e hapur për vizitorët në rrugët e Çarshisë. (Arlinda Baftiu, TVM2)
