Isa Mustafa: Kërkojmë hetim ndërkombëtar për Kumanovën

28.05.2015 16:03

Kosova është tronditur nga ajo që ndodhi në Kumanovë, e sidomos për pasojat në njerëz, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas takimit të sotëm në Tiranë me homologun e tij maqedonas, Nikolla Gruevski, ku është bërë fjalë pikërisht për Kumanovën...

Mustafa, njëherit, ka kërkuar hetim ndërkombëtar për këtë ngjarje.

“Ne kemi kërkuar një hetim ndërkombëtar lidhur me të gjithë ngjarjen që ka ndodhur në Maqedoni, sepse konsiderojmë se ajo do të jetë më neutral, do të jetë më e drejtë dhe natyrisht, do të nxjerrë edhe informata edhe të dhëna që do të na shërbejnë edhe neve në Prishtinë edhe në Maqedoni, që më tutje të menaxhohen dhe kontrollohen situata të tilla në mënyrë që individë të caktuar të mos shkaktojnë viktima”- deklaroi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Mustafa, njëherit, i ka quajtur spekulime shkrimet në media se disa nga të vrarët në Kumanovë janë ekzekutuar pasi janë arrestuar, pasi ende zyrtarisht asgjë nuk është publikuar nga autopsia e kryer në Kosovë.

“Gjithë ato që kanë dalë në medium janë vetëm çështje e mediumeve, por nuk janë çështje të qëndrimeve zyrtare, të organeve të cilat e kanë bërë autopsinë”- tha kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Kosova është shumë e interesuar për ruajtjen e stabilitetit në Maqedoni dhe rajon dhe aktualisht nuk ka asnjë arsye për raste të tilla që do të përfundojnë me viktima në njerëz në territoret e vendeve fqinje, thotë Mustafa. (Gyltene Sinani, TVM2)