Botë
Ukrainë, Putini dhe Uitkofi drejt marrëveshjes së paqes
02.12.2025 11:20
Putin do të takojë në Moskë të dërguarin special të SHBA-së...

Presidenti rus Vlladimir Putin do të takojë në Moskë të dërguarin special të ShBA-së, Stiv Uitkof, në një moment kur Shtëpia e Bardhë shprehet “shumë optimiste” për një marrëveshje të mundshme paqeje që do t’i jepte fund luftës në Ukrainë.
Presidenti Volodimir Zelenski i quajti bisedimet “konstruktive”, por theksoi se disa çështje kyçe mbeten ende të pazgjidhura, veçanërisht ajo territoriale, pika më e vështirë e negociatave. Kremlini vazhdon të kërkojë që Ukraina të heqë dorë nga territoret lindore, gjë që Kievi e refuzon kategorikisht.
Ndërkohë, situata në front mbetet e tensionuar. Moska pretendoi të ketë marrë nën kontroll qytetet strategjike Pokrovsk dhe Vovçansk, por Kievi i mohoi këto deklarata. Analiza të pavarura të terrenit sugjerojnë se asnjë prej qyteteve nuk është plotësisht i pushtuar.
Shtëpia e Bardhë deklaroi se drafti i marrëveshjes ka bërë “përparime të mëdha” dhe se administrata Tramp është optimiste për një rezultat pozitiv. Megjithatë, Evropa mbetet e rezervuar. Presidenti francez Emanuel Makron tha se nuk ka ende “asnjë plan të finalizuar”, dhe theksoi se çdo marrëveshje duhet të hartohet me kontributin e Ukrainës dhe vendeve evropiane. Çështjet kryesore që mbeten ende të hapura janë territori, garancitë e sigurisë për Kievin dhe e ardhmja e aseteve të ngrira ruse në Evropë.
Ukraina kërkon garanci afatgjata sigurie, përfshirë anëtarësimin në NATO, të cilin Rusia e kundërshton dhe Trampi e ka përjashtuar. Kjo javë shihet si vendimtare për të kuptuar nëse mund të arrihet një kornizë fillestare paqeje ose nëse negociatat do të hyjnë sërish në ngërç.
