Maqedoni

“Qyteti i sigurt”, 110.000 shkelje të zbuluara në 24 orë në Shkup

02.12.2025 12:02

Periudha e provës së sistemit "Qyteti i Sigurt" ka filluar....

Rreth 110.000 shkelje të trafikut janë regjistruar vetëm në 24 orë pas aktivizimit të kamerave të trafikut në kuadër të projektit "Qyteti i sigurt" në qytetin e Shkupit. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, shumica e shkeljeve janë për tejkalim të shpejtësisë së lejuar. Sipas Toshkovskit, siguria në komunikacion duhet të jetë angazhim i të gjitha palëve, por edhe vet aktorëve dhe pjesëmarrësit në komunikacion.

"Kjo periudhë prej 30 ditëve është një mundësi e mirë që qytetarët ta kuptojnë atë të cilën duam ta implementojmë me të vetmin qëllim, që në vitin 2025 të mos kemi më 142 viktima në komunikacion apo një mesatare rreth 78 viktima në 1 milion popullsi. Kurse kjo mesatare në vendet skandinave është 20 viktima në 1 milion popullsi, kurse mesatarja në Evropë është 44 deri në 45 viktima. 110.000 shkelje në Shkup u regjistruan në 24 orë, 5.000 shkelje të semaforit të kuq, 90% e shkeljeve janë shpejtësi e lartë.”, - deklaroi ministri i MPB-së, Pançe Toshkovski.
 
Do të dënohen edhe veturat zyrtare, përjashtim do të kenë vetëm veturat e ndihmës së shpejtë, të cilat do të jenë në intervenim, por edhe veturat e Policisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, sqaroi Toshkovski. 
 
“Nuk do të ketë qasje selektive për askënd. Në të kaluarën kemi pasur raste kur janë dënuar edhe veturat e ministrave, por edhe tani do të dënohen edhe ministrat. Por, edhe për veturat e huaja kemi sjellë vendim, se nëse një makinë e huaj ka bërë një shkelje, nuk mund t’i ndalohet dalja nga shteti, por hyrjes në vendin tonë. Do të informohet se pa paguar gjobën, nuk mund të hyjë në vendin tonë përsëri.", - theksoi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
 
Toshkovski më tej shtoi se në periudhën e ardhshme do të vendoset se cila do të jetë toleranca për shpejtësinë e tej normave. Sipas tij, këto masa zbatohen edhe në vendet e BE-së. Zbatimi i plotfuqishëm i masave ndëshkuese ishte parashikuar të fillojë nga 1 janari, por nuk përjashtohet mundësia që kjo të shtyhet për më 1 shkurt.  
 
FITIM KRYEZIU