Botë
Eskalojnë protestat në Bullgari, dalin kundër projektligjit për vitin 2026
02.12.2025 13:25
Protesta të dhunshme shpërthyen në Sofje kundër projektbuxhetit për vitin 2026...

Protesta të dhunshme shpërthyen në Sofje kundër projektbuxhetit për vitin 2026, ndërsa dhjetëra mijëra bullgarë dolën në rrugë duke kërkuar që Qeveria ta rishikojë draftin ose të japë dorëheqjen. Pamjet tregojnë përplasje midis protestuesve të maskuar dhe policisë, kazanë plehrash të djegur, si dhe mjete policore të dëmtuara. Policia tentoi të shpërndajë turmën me gaz lotsjellës dhe spërkatës djegës të syve. Demonstratat, në të cilat dominonin të rinjtë, filluan në mënyrë paqësore, por tensionet u rritën shpejt kur grupe më të vogla u drejtuan drejt selive të partive kryesore në pushtet.
“Protesta filloi paqësisht, por pas marshimit drejt selive të Lëvizjes për të Drejtat dhe Liritë, si dhe goditës se selisë së “Qytetarëve për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë”, te këta objekte u shfaqën provokatorë. U përdor gaz lotsjellës. Për më tepër, bulevardi “Vasil Levski” ishte lënë pa ndriçim për gjithë gjatësinë e tij. Pse? Këtë duhet ta pyesni Ministrinë e Brendshme. Daniel Mitov duhet të japë dorëheqjen sonte.”, - deklaroi lideri i “Vazhdo ndryshimin”, Asen Vasilev.
“Protesta nuk duhej të arrinte këtu. Protesta duhej të ishte paqësore. Njerëzit që po e bëjnë këtë nuk janë pjesë e protestës paqësore. Ata janë të ashtuquajtur “provokatorë lokalë”. Policia nuk ka faj, nuk pati provokime prej tyre. Duam të themi se në këtë pikë i gjithë sistemi duhet ndryshuar, nuk është më vetëm për buxhetin.”, - tha një protestues.
“Eskalimi u shkaktua nga persona të organizuar paraprakisht për të sulmuar policinë dhe për të gjeneruar agresion që nuk ka qenë i provokuar nga oficerët tanë, siç e patë. Vlerësimi është se ka dëme si në infrastrukturë, ashtu edhe në kontejnerët e mbeturinave. Ka dëme në ambientin urban, duke përfshirë tramvajet e transportit publik. Kompania e pastrimit bëri shumë përpjekje për të menaxhuar situatën. Siç e shihni, gjithçka tani është pastruar.”, - theksoi drejtori i Inspektoratit të Sofjes, Nikolaj Nedjallkov.
Më 28 nëntor, Qeveria njoftoi se po e tërheq projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, pas protestave të ngjashme kundër rritjeve të mëdha të taksave. Lajmin e befasishëm e dha lideri i Qytetarëve për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë, Boiko Borisov, i cili i bëri thirrje Qeverisë që të rinisë dialogun me punëdhënësit dhe sindikatat, me qëllim gjetjen e një konsensusi mbi financat e shtetit.
FARIJE DAUTI BAKIU
