Botë

Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, ShBA-ja shpreh optimizëm për marrëveshje për paqe

02.12.2025 14:11

Shtëpia e Bardhë ka shprehur optimizëm për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës....

Shtëpia e Bardhë ka shprehur optimizëm për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës. Pas bisedimeve në Florida me negociatorët ukrainas, i dërguari i posaçëm Uitkof dhe dhëndri i Trampit, Kushner, po zhvillojnë takime në Moskë me kreun e Kremlinit.
 
“Kjo është një lloj diplomacie “vajtje-ardhje” që e keni parë nga kjo administratë, ku ne bisedojmë në mënyrë të barabartë me të dyja palët. I vumë pikat në letër dhe ato pika u rishikuan shumë herë. Sa i përket detajeve, do t’i lë negociatorët të negociojnë. Shpresojmë që kjo luftë më në fund të marrë fund.”, - deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Leavit.
 
Në Bruksel janë të shqetësuar se bisedimet mes ShBA-së dhe Rusisë mund të përfundojnë me kërkesa për më shumë lëshime nga Ukraina, madje edhe nën presion për të dorëzuar territor. Më herët Moska ka përsëritur disa herë se operacioni ushtarak do të ndalet vetëm kur forcat ukrainase të tërhiqen nga Donbasi. Plani i Trampit për paqe me 28 pika u rishikua një javë më parë, pas bisedimeve në Gjenevë mes ShBA-së, Ukrainës dhe BE-së.
 
“Kam frikë se gjithë presioni do t’i bjerë palës më të dobët, sepse është mënyra më e lehtë për ta ndalur këtë luftë, që Ukraina të dorëzohet,  por kjo nuk është në interesin e askujt: as të Ukrainës, as të Bashkimit Evropian dhe as të sigurisë globale. Karta e Kombeve të Bashkuara thotë se kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë.”, - theksoi shefja e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, Kaja Kallas.
 
Rusia duhet ta përfundojë luftën që e nisi, deklaroi presidenti ukrainas pas takimit me homologun francez. Zelenski është duke zhvilluar takime në Dublin. Kjo është vizita e tij e parë zyrtare në Irlandë, ku aktualisht ndodhen rreth 80 mijë ukrainas që kërkuan statusin e refugjatit që nga fillimi i luftës.
 
“Prioritetet e Ukrainës janë të qarta. Para së gjithash, garanci për mbrojtje dhe siguri; garanci për ruajtjen e pavarësisë së Ukrainës dhe sovranitetit tonë. Ne do ta mbrojmë këtë. Ne punojmë që të sigurojmë që një pushtim i tretë rus të mos ndodhë kurrë dhe që të mos ketë shkelje të marrëveshjeve për përfundimin e luftës.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë publikoi një video për të cilën pretendon se tregon ushtarë me flamurin rus në qytetin ukrainas Pokrovsk. Kievi thotë se luftime të ashpra vazhdojnë ende në zonë.
 
FARIJE DAUTI BAKIU