Maqedoni
Idrizovë, vazhdon gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls”
02.12.2025 14:34
Ka vazhduar gjykimi për zjarrin e shkaktuar në diskotekën “Puls”....

Ka vazhduar gjykimi për zjarrin e shkaktuar në diskotekën “Puls”. Në seancën e sotme dëgjimore, 34 individë dhe tre persona juridikë përsëritën se e kuptojnë aktakuzën, por nuk e pranojnë fajin për tragjedinë në të cilën vdiqën 63 persona dhe u plagosën mbi 200. Avokatja mbrojtëse e të pandehurit të parë Dejan Jovanov, Ivana Kocevska, e hodhi fajin mbi institucionet dhe grupin muzikor DNK.
“Me një shpërndarje kaq të diskutueshme të termave dispozitive dhe shkualifikim absolut ligjor të veprave penale të cilat po u ngarkohen të akuzuarve, në mesin e tyre edhe të klientit tim, Dejan Jovanov, mund të numërojmë pafundësi të këtij procesi dhe kjo jo vetëm që i shkurton të drejtat e të akuzuarve këtu, por do ta ringjallë edhe pakënaqësinë e palës së viktimave.”, - deklaroi avokatja, Ivana Kocevska.
Pas fjalës hyrëse të avokates Kocevska, edhe i pandehuri i parë Jovanov me lot në sy u pajtua me fjalët hyrëse të avokates së tij.
“Deri më sot jam i habitur dhe nuk mund ta besoj se çfarë ndodhi atë natë. Kam qenë në 4 mure për 9 muaj, duke e përjetuar atë natë tragjike çdo ditë. Nuk mund ta besoj se çfarë ndodhi. Si person dhe prind, ku u mblodhën të gjithë të rinjtë dhe fëmijët e mi, nuk do të kisha lejuar që asgjë të mungonte në klub. Breza të tërë u rritën në atë klub dhe të gjithë e dinë mirë se si u kujdesa për sigurinë e të gjithë mysafirëve në klub. Me gjithë zemër e shpirt dua t'u shpreh ngushëllimet e mia të gjithë të ndjerëve dhe shërim të plagosurve.”, - u shpreh pronari i diskotekës, Dejan Jovanov.
Gjykimi u zhvillua nën masa të shtuara sigurie, me të afërm të viktimave, prokurorinë dhe publikun e pranishëm. Nga ana tjetër, Prokuroria, e përfaqësuar nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë, njoftoi se provat do të tregojnë se klubi “Puls” ishte një kurth vdekjeprurës që nga fillimi dhe tragjedia është rezultat i neglizhencës sistematike dhe dështimeve institucionale. Tragjedia në Koçan ndodhi më 16 mars 2025. Pronarët, menaxherët, inspektorët, ish-kryetarët e bashkive, rojet e sigurisë dhe nëpunësit civilë u ulën në bankën e të akuzuarve. Midis të pandehurve janë tre persona juridikë: "Kafe DOOEL", "Rubikon Security" dhe "Venci Projekt".
FITIM KRYEZIU
