Maqedoni
Gjobat e trafikut “Qyteti i sigurt”, qytetarët: Forcojnë disiplinën në trafik
02.12.2025 15:24
Aktivizimin e kamerave të trafikut qytetarët e vlerësojnë si një hap të rëndësishëm për përmirësimin e sigurisë në rrugë....

Aktivizimin e kamerave të trafikut në kuadër të projektit “Qyteti i Sigurt” qytetarët e vlerësojnë si një hap të rëndësishëm për përmirësimin e sigurisë në rrugë. Sipas tyre, kamerat e trafikut janë një mjet efektiv për të forcuar disiplinën dhe për të parandaluar shkeljet e mëdha.
“Pozitive është. Mirë janë kamerat, sepse çfarë nuk po ndodhë. Për mendimin tim kamerat mirë janë.”, - tha një qytetar.
“Vozitin shpejt, i thyejnë rregullat, po ashtu edhe nëpër vendbanime, askush nuk shikon, vozisin si të duan.”, - tha një qytetar tjetër.
“Është mirë që të vetëdijesohen shoferët, me të vërtetë shpejt vozisin.”, - u shpreh një qytetar.
“Shpresoj që të vetëdijesohen. Unë për çdo ditë eci dhe i shoh se si vozisin. Mundohen që të hipin edhe përmbi trotuar.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
“Unë mendoj se më shumë është për vetëdijesimin e qytetarëve.”, - tha një qytetar.
“Shihni! Ne për çdo ditë shohim shkelje të rregullave, mendoj që kjo masë do të ndihmojë kur të shohin qytetarët se ka kamera dhe do të kenë kujdes.”, - tha një qytetar tjetër.
Ndërkohë MPB-ja njofton se gjysma e gjobës mund të paguhet brenda 8 ditëve, nga marrja e procesverbalit.
“Brenda tetë ditëve nga marrja e procesverbalit për shkeljen e trafikut, me urdhër–pagesën për kundërvajtje mund të paguhet gjysma e gjobës së vendosur. Nëse ka kaluar afati prej 8 ditësh për të paguar gjysmën e gjobës, atëherë mund të paguhet shuma e plotë e gjobës brenda maksimumi 8 ditëve pas përfundimit të afatit për pagesën e gjysmës së gjobës dhe kjo duhet bërë para fillimit të procedurës së ekzekutimit.”, - deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.
Një pjesë e qytetarëve ndërkohë shprehin shqetësimin për shkeljet e vogla, si tejkalimi i shpejtësisë me vetëm 1 km në orë, duke kërkuar rishikimin e masave.
ARMEND MURSELI
