Maqedoni
Vendosja e kamerave, Mickoski: Mbështes projektin edhe përkundër kritikave
02.12.2025 15:37
Mickoski mbështet projektin “Qyteti i Sigurt”, si dhe vendosjen e kamerave të sigurisë në të gjithë territorin e Maqedonisë....

Kryeministri Hristijan Mickoski mbështet projektin “Qyteti i Sigurt”, si dhe vendosjen e kamerave të sigurisë në të gjithë territorin e Maqedonisë, jo vetëm në Shkup. Sipas kryeministrit, vendosja e kamerave do të ndikojë për shoferë më të ndërgjegjshëm dhe shmangien e fatkeqësive, edhe përkundër kritikave të shumta.
“Disa thonë se kjo do të sjellë kritika për Qeverinë, do të sjellë një goditje të fuqishme politike. Unë them se jemi të përgatitur që atë goditje politike ta durojmë, vetëm të shpëtojmë ndonjë jetë njeriu, pasi që vetëm dy javët e kaluara në qendër të kryeqytetit kishim tre viktima.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
LSDM: Mickoski do ta shohë standardin e qytetarëve
Por, për socialdemokratët, kryeministri nga kamerat e sigurisë do të shohë edhe standardin e qytetarëve, pasi sipas tyre, me këtë projekt kanë dalë në shesh një numër i konsiderueshëm i veturave të paregjistruara.
“Për 12 orë sistemi i kamerave ka treguar se mbi 1 mijë vetura janë të paregjistruara. Kjo flet për standardin e rënë të qytetarëve me Mickoskin dhe DPMNE-në në pushtet. Populli s’ka para as për t’i regjistruar veturat. Mirë që Qeveria i vendosi kamerat, që Mickoski të mund nga kabineti i tij qeveritar të shohë gjendjen katastrofale në Maqedoni.”, janë shprehur nga LSDM.
Aktualisht policia jep vetëm vërejtje për shkelësit. Ndryshimet ligjore për shqiptim të gjobave nga 1 janari pritet të vijojnë në Kuvend.
MERAL ISMAILI
