Seancë komemorative, përkujtohet Shpat Kasapi në Çair
Në sallën e stërmbushur me familjarë...

Në sallën e stërmbushur me familjarë, figura nga arti dhe muzika dhe përfaqësues të institucioneve më të larta shtetërore, u mbajt sot komemoracioni për këngëtarin Shpat Kasapi, në goditën e komunës ku jetoi vitet e fundit të jetës së tij.
Pesha e rëndë e dhimbjes, lotëve dhe trishtimit për humbjen e artistit në moshë të re pas një arresti kardiak, rëndonte mbi ata që ndanë vlerësimet më të larta dhe evokuan kujtimet.
Komemoracioni u hap me fjalën e bashkëshortes së artistit.

“Roeli do të jetë shumë krenar dhe sidomos do të jetë shumë krenar kur do të shohë se sa prej jush e keni dashur Shpatin.”, - u shpreh bashkëshortja e Shpat Kasapit, Selvie Jao.
Përfaqësuesit e institucioneve më të larta të shtetit e falënderuan artistin për pasurinë artistike dhe këngët që do të vazhdojnë të jetojnë edhe pas shkëputjes së tij fizike. Përmes një telegrami ngushëllimi, presidentja e shtetit e cilësoi Shpat Kasapin si figurë inspirimi për shumë të rinj.
“Ikja e tij është humbje e madhe jo vetëm për skenën muzikore shqiptare, por edhe atë rajonale.”, - thuhet në telegramin e ngushëllimit, Gordana Siljanovska Davkova.

“Kokën mbajeni lart për djalin, vëllain, bashkëshortin, që e keni pasur, për shkak se Shpati ishte krenaria e të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë.”, - theksoi kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi.

“Trashëgimia e tij muzikore është e çmuar dhe do të jetojë gjatë. Këngët e tij do të vazhdojnë të dëgjohen me të njëjtin emocion dhe respekt që e ka shoqëruar karrierën e tij.”, - u shpreh kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Mes dhimbjes së madhe, kolegët e brezit me të cilët u shënua muzika zbavitëse e viteve 2000, Tuna, Adrian Gaxha, Valon Suma, Leonora Poloska dhe të tjerë, ndanë kujtimet më të mira për kohën sfiduese, në të cilën filloi dhe u zhvillua karriera e tyre.

“Unë dhe ti, Shpat, ecëm nëpër shumë rrugë bashkë. Ishim shokë të një klase, ishim fëmijë të bekuar me prindër që na mbështetën në ëndrrat tona për muzikën, ishim adoleshentë që provuam barrën e popullaritetit përpara se ta kuptonim çfarë do të thoshte ajo, ishim dy të rinj, që në betejat nga Shkupi të depërtonim në Prishtinë, Tiranë, kudo që ka shqiptarë dhe ia dolëm, Shpat. Ti ia dole.”, - u shpreh këngëtarja, Altuna Sejdiu.
Komuna e Çairit në ceremoninë komemorative la të hapur edhe librin e kujtimeve për artistin Shpat Kasapi. (Arlinda Baftiu, TVM2)
