Maqedoni

Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Veçanta, apelojnë për qasje më të madhe në infrastrukturë

03.12.2025 13:56

Berisha, për TVM2, theksoi se nuk është i kënaqur me përkrahjen institucionale dhe shoqërore në vend....

Me rastin e Ditës së Personave me Nevoja të Veçanta - 3 Dhjetorit, kryetari i shoqatës “Mirësia”, Abaz Berisha, për TVM2, theksoi se nuk është i kënaqur me përkrahjen institucionale dhe shoqërore në vend. Ai theksoi se nuk duhet në këtë ditë që fjalët të mbeten vetëm në intervista, fotografi dhe aktivitete për një ditë, por duhet mbështetje më e madhe t’i bëhet kësaj kategorie të shoqërisë, në mënyrë që të ndjehen të barabartë në shoqëri sikur gjithë të tjerët. Ndaj apelon institucionet kompetente që të marrin masa më shumë për personat me nevoja të veçanta.
 
“Kjo është dita e veçantë për ne, dita qe duhet t’i përkujtojnë këta persona me nevoja të posaçme. Bëj apel që mos të mbetet kjo ditë vetëm e shënuar - 3 dhjetor - e tjera ditë të na harrojnë, 364 ditë të na harrojnë e vetëm një ditë të na përkujtojnë. Dua të bëj apel që të ndërgjegjësohen institucionet dhe të gjithë ata që janë kompetentë, që të na plotësojnë dhe realizojnë kushtet që të kemi normal qasje sikur të tjerët kur të dalim, kudo që lëvizim dhe kjo është ditë feste për ne, por mund të themi edhe dita që duhet të përkujtojnë që edhe të tjerët një ditë ta provojnë veten sikur të jenë në këtë gjendje që jemi ne dhe ta shohin se si është të ballafaqohesh një ditë me gjendjen, me kushtet, sidomos për kushtet në përgjithësi për infrastrukturë më së shumti.”, - deklaroi kryetari i shoqatës “Mirësia”, Abaz Berisha.
 
Edhe nga shoqatat e tjera të personave me nevoja të veçanta në vend kanë theksuar se mbështetja institucionale është larg çdo standardi minimal, ndonëse Qeveria dhe sindikatat diskutuan rritjen e pagës minimale në 24 mijë denarë në vitin 2024 dhe në 27 mijë denarë në vitin 2025, personat me nevoja të veçanta, në prag të vitit 2026 vazhdojnë të marrin shuma të papërfillshme.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI