Botë
Bisedimet në Moskë pa rezultat, çështjet territoriale dhe NATO-ja mbeten pengesë
03.12.2025 14:12
Bisedimet pesëorëshe në Moskë mes përfaqësuesve të ShBA-së dhe presidentit rus Vladimir Putin, përfunduan pa rezultat....

Bisedimet pesëorëshe në Moskë mes përfaqësuesve të ShBA-së dhe presidentit rus Vladimir Putin, të cilat kishin për qëllim gjetjen e një rruge drejt marrëveshjes për paqe në Ukrainë, përfunduan pa rezultat. Nga Kremlini theksojnë se ende mbetet shumë punë për të bërë. Në qendër të diskutimeve kanë qenë çështjet territoriale, të cilat Rusia i konsideron thelbësore për çdo zgjidhje të krizës. Pengesë kryesore vazhdon të jetë statusi i pjesëve të Donbasit, aspiratat e Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe mundësia e kufizimit të forcave të armatosura ukrainase.
“Deri tani nuk është gjetur kompromis. Disa nga propozimet amerikane duken më shumë a më pak të pranueshme, por duhet të diskutohen. Disa nga formulimet që na u propozuan nuk na përshtaten. Pra, puna do të vazhdojë.”, - deklaroi këshilltari për Politikë të Jashtme në Kremlin, Jurij Ushakov.
Takimi u mbajt disa ditë pasi përfaqësues të ShBA-së biseduan me ekipin ukrainas në Florida. Sekretari amerikan i shtetit thotë se fundi i luftës do të varet nga Kievi dhe Moska, dhe se nëse palët vendosin se nuk duan ta përfundojnë luftën, atëherë ajo do të vazhdojë.
“Vetëm Putini mund ta përfundojë këtë luftë. Ne do të përpiqemi t’i afrojmë të dyja palët dhe të shohim se çfarë propozimesh mund të paraqesim që të jenë të pranueshme për të dyja palët. Do të bëjmë gjithçka që mundemi që të funksionojë. Këtë e bëjmë prej dhjetë muajsh. Mendoj se kemi bërë njëfarë përparimi. Jemi afruar, por ende nuk jemi mjaft afër.”, - deklaroi sekretari i shtetit i ShBA-së, Marko Rubio.
Ukraina druhet se disa nga kushtet e propozimit mund ta lënë vendin të pambrojtur ndaj një pushtimi të mundshëm rus, megjithëse ShBA-ja kanë propozuar një garanci dhjetëvjeçare sigurie për Kievin.
“Është e rëndësishme që gjithçka të jetë e hapur, e drejtë dhe e ndershme, që të mos ketë veprime pas shpinës së Ukrainës. Asgjë nuk do të vendoset pa Ukrainën, për Ukrainën, për të ardhmen tonë.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Mbështetja për Ukrainën, si dhe përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Aleancës, ishin tema të takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s edhe në Bruksel.
“Duhet të sigurohemi që kur lufta të përfundojë, Ukraina të jetë në pozitën më të fortë të mundshme. Ka pasur një takim të suksesshëm në Gjenevë, një tjetër në Majami midis ekipit amerikan dhe atij ukrainas, dhe natyrisht mbrëmë pati një takim në Moskë — nuk do ta komentoj rezultatin, por shpresojmë të sjellë rezultate. Duhet t’i bëjmë të qartë Rusisë që mbështetja për Ukrainën vazhdon, dhe kjo po ndodh sot.”, - u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.
Plani amerikan, fillimisht i përbërë nga 28 pika, u rishikua në Gjenevë mes Uashingtonit, Kievit dhe Brukselit, duke u fokusuar kryesisht në përcaktimin e kufirit si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme armëpushimi. Putini i akuzoi evropianët se po sabotojnë përpjekjet për paqe në Ukrainë me kërkesa të papranueshme.
FARIJE DAUTI BAKIU
