Maqedoni
Udhëheqësia e LSDM-së jep dorëheqje, Filipçe: Së bashku do të bëjmë një freskim të ekipit
03.12.2025 14:41
Filipçe do të duhet të propozojë anëtarë të rinj të organeve partiake....

Dorëheqje në LSDM. Me propozim të kryetarit të partisë, Venko Filipçe, nënkryetarja, nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm, sekretarët organizativë, si dhe të gjithë anëtarët e Bordit Ekzekutiv kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre në Këshillin Qendror dhe te kryetari i partisë. Me këtë hap udhëheqësia e LSDM-së hap hapësirë për një kapitull të ri. Nga kjo parti thonë se pason një periudhë freskimi kadrovik, forcimi, përfshirja e njerëzve të rinj, ridizajnim organizativ dhe mobilizim i brendshëm, për forcë dhe energji të re të LSDM-së.
“U tregua një akt i lartë solidariteti dhe shoqërie, dhe ata e pranuan propozimin për dorëheqje formale individuale. Unë, së bashku me secilin prej tyre, duke përfshirë edhe njerëzit që deri tani ishin në kryesinë ekzekutive, por edhe persona të tjerë, së bashku do të bëjmë një freskim të ekipit. Biseduam për aktivitetet e partisë në periudhën e ardhshme, për postulatet e parapropozuara të programit të ri dhe për mënyrën se si do ta paraqesim atë para qytetarëve dhe para anëtarëve të partisë.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Në një nga mbledhjet e ardhshme të Këshillit Qendror, Filipçe do të duhet të propozojë anëtarë të rinj të organeve partiake. Nga LSDM thonë se për funksionet do të zgjidhen personat më kompetentë. Ky veprim në LSDM vjen pas rezultateve të dobëta që partia i pati në zgjedhjet e fundit lokale.
Ndryshime edhe në BDI dhe VMRO-DPMNE, Ademi: Po punohet intensivisht për kongresin e 20 dhjetorit
Kongres në dhjetor ka paralajmëruar edhe BDI. Nga Reçica e vogël paralajmërohet freskim në parti, pa shumë gjasa për ndryshim të lidershipit, kryetarit Ali Ahmeti, i cili do të rizgjidhet në Kongresin e 20 dhjetorit.
“Në BDI po punohet intensivisht për më 20 dhjetor në të cilën është caktuar data e kongresit, në të cilin do të kemi rizgjedhje të z. Ali Ahmeti për kryetar të partisë, sigurisht se do të kemi zgjedhje edhe të anëtarëve të këshillit të përgjithshëm, e pastaj zgjedhjet tjera do të burojnë edhe nga organe tjera, nga këshilli i përgjithshëm do të zgjidhet kryesia e këshillit të përgjithshëm, e kështu me radhë. Në BDI ka shumë njerëz të cilët kanë lënë gjurmë të rëndësishme, jo vetëm brenda partisë, por në të gjithë proceset që kanë karakterizuar vendin tonë. Si parti e përgjegjshme shtetformuese, serioze, e cila ka legjitimitetin e pakontestueshëm të shqiptarëve, sigurisht se pritet të kemi vendime të përgjithshme të cilat përkojnë me kërkesat e opinionit.”, - theksoi nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi.
Ndryshime paralajmërohen edhe në VMRO-DPMNE pas kongresit partiak, që do të mbahet këtë fundjavë në Kavadar. Kryeministri Hristijan Mickoski pret të marrë një mandat të ri katërvjeçar si kryetar, për të cilin ka paralajmëruar se do të jetë i fundit në pozitën e liderit. Në Kongres pritet që edhe VMRO-DPMNE të ndryshojë një pjesë të madhe të organeve dhe udhëheqjes së partisë.
ARMEND MURSELI
