Rajon
Muja: Kosova importon energji nga Serbia më pak se 1%
03.12.2025 15:12
Importi i energjisë elektrike nga Serbia është më pak se 1%, ka deklaruar Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje...

Importi i energjisë elektrike nga Serbia është më pak se 1%, ka deklaruar Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje, si kundërpërgjigje ndaj eksponentëve të opozitës, se duhet të hetohet importi i energjisë nga Serbia. Kjo dëshmohet me kontratat për të gjitha blerjet dhe shitjet e energjisë, tha Muja.
“Vendi nga po buron energjia elektrike që konsumatorët e Kosovës po e përdorin është Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Danimarka. Pjesëmarrja e Serbisë në importin e energjisë elektrike në vitin 2025 është më pak se 1%. Këto janë të dhëna që i kemi marrë deri dje.”, - deklaroi Armend Muja nga LVV.
Sipas Vetëvendosjes, furnizimi me energji elektrike nga Serbia ka qenë dominues deri në ardhjen e saj në pushtet.
“Importi i energjisë elektrike nga Serbia ka qenë prevalent, furnitorët nga Serbia kanë qenë dominues në tregun e Kosovës deri në kohën kur ne kemi ardhur në pushtet. Qoftë përmes kontratave të drejtpërdrejta, aktorët që sot dalin në intervista dhe akuzojnë për energji, i kam kontratat që ata kanë pasur përgjegjësi të drejtpërdrejtë.”, - theksoi Armend Muja nga LVV.
Duke hedhur poshtë pretendimet e partive opozitare se aktualisht Kosova furnizohet me energji nga Serbia, Muja ka thënë se Vetëvendosje mbështet çdo hetim për kompaninë “NOA Energy”, sa i përket mënyrës së tregtisë së energjisë elektrike. Për këtë kompani, opozita në Kosovë ngriti dyshime se drejtohet nga Vuk Hamoviq, djali i i ish-shefit të Armatës Jugosllave, Rade Hamoviq.
GYLTENE SINANI
