Forumi Ekonomik në Tiranë, kryeministrat unifikojnë përpjekjet në rrugën e integrimeve

28.05.2015 16:33

Kryeministri, Nikolla Gruevski, kërkon mbështetje rajonale për integrimin e Maqedonisë në NATO...

Ai një mbështetje të tillë e kërkoi në Forumin Ekonomik të Vjenës, i cili i zhvillon punimet në Tiranë.

Maqedonia është një vend multietnik, prandaj integrimi euroatlantik është një faktor kryesor për ruajtjen e balancave mes etnive, theksoi Gruevski, sipas të cilit që në vitin 2008 Maqedonia i plotësoi të gjitha kriteret për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO dhe një vit më vonë edhe kriteret për fillimin e bisedimeve me BE-në, por kontesti bilateral me Greqinë pengoi proceset integruese të Maqedonisë.

“Pata rastin të bisedoj me disa kryeministra të disa vendeve, si me kryeministrin e Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe të Kosovës, me të cilët ndamë mendime për çështjet e përgjithshme në rajon dhe në vendet tona dhe u morëm vesh që në të ardhmen të kemi bashkëpunim më të veçantë në drejtim të përforcimit të pozicioneve tona si shtete, përforcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe rajonal, sepse të gjithë e kemi një qëllim, e ai qëllim është integrimi në BE dhe ata që s’janë në NATO, të integrohen në këtë strukturë euroatlantike”- deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski. 

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe ai serb, Aleksandër Vuçiç, e vlerësuan takimin si një mundësi unike që vendet e Ballkanit të unifikojnë përpjekjet në rrugën e integrimit evropian, si një objektiv i përbashkët i tyre. Por ata njëherit vlerësuan se popullata e vendeve të rajonit është lodhur nga pritja jashtë dyerve të BE-së.    

“Rajoni ynë shkon drejt një kapitulli të përbashkët pozitiv, që kërkon unifikimin e përpjekjeve në rrugën e integrimit evropian, si një objektivë e përbashkët. Njerëzit në rajon janë të lidhur  për një ëndërr, e cila është Evropa. Kjo tregon se nuk kemi kohë të kthejmë kokën prapa, por duhet të shohim drejt së ardhmes, për t'iu përgjigjur sfidave të përbashkëta”- tha kryeministri shqiptar, Edi Rama.

“Ne nuk mundemi të bëjmë asnjë reformë pa bashkëpunimin rajonal, që është kusht i stabilitetit jo vetëm në rajon dhe Ballkanin Perëndimor, por në të gjithë Evropën Juglindore”- theksoi kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.  

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur gatishmërinë për përfshirjen e Kosovës në projekte rajonale.

“Ne kemi sfidat tona, që kanë të bëjnë me procesin ekonomik, infrastrukturën e munguar, si dhe kemi një nevojë për përkrahje më të madhe të institucioneve financiare ndërkombëtare, duke qenë se kemi hyrë më vonë në periudhën e tranzicionit”, - ka thënë Mustafa.

Në këtë forum kanë marrë pjesë edhe kryeministrat e Malit të Zi dhe Bosnjë Hercegovinës, ndërsa ka munguar ai i Greqisë. Forumi është zhvilluar nën udhëheqjen e ish diplomatit gjerman, Joshka Fisher. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)