Familjarët e të akuzuarve: Zaev të publikojë përgjimet për “Monstrën”
Familjarët e të akuzuarve në rastin “Monstra” kërkojnë nga kryetari i opozitës, Zoran Zaev, publikimin e menjëhershëm të përgjimeve që kanë të bëjnë me rastin në fjalë...

“Zvarritja e publikimit të këtyre materialeve po sfidon ndjenjat dhe durimin tonë”- shprehen familjarët.
“Këshilli i respekton rregullat vendore dhe ndërkombëtare, andaj kërkon nga Zaevi që menjëherë të publikojë materialin që disponon, në mënyrë që mos të sfidojë ndjenjat e familjarëve dhe gjithë shqiptarëve. Deklarata e Zaevit ishte e prerë për gazetën gjermane “Di Zait”. Ne si këshill dhe familjarë e kemi patjetër të reagojmë në mënyrë të vendosur, të pakomromistë për lirimin e të burgosurve pas pranimit publik të pafajësisë së të burgosurve. Këshilli nuk mundet dhe nuk është i gatshëm të pranojë mbajtjen e mëtutjeshme nëpër burgje të djemve tanë të pafajshëm. Ne si këshill ua bëjmë me dije se durimi i këshillit, familjarëve dhe i gjithë shqiptarëve në përgjithësi po testohet rëndë pas pranimit publik të pafajësisë nga zotëri Zaevi”- deklaroi familjari, Bedri Ajdari.
“Jemi lodhur prej rastit, ky rast duhet të zbardhet sa më shpejtë. Tash sa erdha prej burgut, jemi të lodhur me të vërtetë, unë si nënë por edhe familja, bashkëshortja, motra. Po luhet, do t’i tregojmë këtë javë, atë javë, këtë muaj, muajin tjetër, në fund të muajit. Le të zbardhet kjo më një ditë, le të dalë në shesh, se unë me djalin tim jam krenare, ai është i qëndrueshëm, por lehtë zbardhet kjo punë. Kjo do të jetë mirë edhe për palën shqiptare edhe për atë maqedonase. Ne t’i publikojë dhe le të dalë në shesh e vërteta, se kështu më nuk mundet. Jemi lodhur me të vërtetë”- tha familjari, Ibadete Luta.
Ndërkohë, Gjykata e Apelit, pas tetë muaj nga ankesa, ka caktuar që seanca për rastin të mbahet më 6 korrik, kur dhe mbushet një vit nga shpallja e aktgjykimit të shkallës së parë. Zvarritje të rastit në këtë mënyrë Raufi thotë se nuk ka takuar asnjëherë në karrierën e tij.
“Tani më është caktuar seanca e Apelit më 6 korrik, seancë ankimore para Apelit, që do të thotë se prej momentit kur ne avokatët i kemi dorëzuar ankesat më 24 tetor, kaluan më 8 muaj që u caktua koha e seancës ankimore. Është një periudhë jashtëzakonisht e gjatë, nuk di arsyen se pse zvarritet kështu kjo lëndë, ndoshta ka të bëjë me të ashtuquajturat “bomba” të opozitës, ku thonë se kanë dëshmi se këto nuk janë fajtorë, atë që e themi ne prej paraburgimit, prej më 1 maj 2012. Është një interval kohor pa presedan, që nuk ka ndodhur asnjëherë që rasti të zgjatet ashtu. Mendoj se janë tejkaluar të gjitha limitet kohore”- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Familjarët thonë se alternativë e fundit për lirimin e të akuzuarve të pafajshëm mbeten protestat. Ndërsa avokati mbrojtës, Naser Raufi, pret që drejtësia të fitojë dhe në apel të akuzuarit të shpallen të pafajshëm. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)
