Maqedoni

Gashi: Strategji e re për luftimin e korrupsionit

04.12.2025 12:02

Korrupsioni nuk është vetëm shkelje ligjore, por plagë e thellë shoqërore që dobëson themelet e demokracisë dhe frenon potencialin ekonomik...

Korrupsioni nuk është vetëm shkelje ligjore, por plagë e thellë shoqërore që dobëson themelet e demokracisë dhe frenon potencialin ekonomik. Kështu vlerëson kryeparlamentari Gashi, sipas të cilit fjala politikë për fat të keq asocon në korrupsion, që është bërë pjesë e mentalitetin tonë. Sipas tij, strategjia e re kombëtare për parandalimin e korrupsionit 2026 – 2030 do të pasqyrojë vizionin se si duhet të funksionojë shteti dhe si duhet të parandalohet korrupsioni.

“Ne të gjithë bashkë duhet të reflektojmë, të pranojmë hapur sfidën dhe të veprojmë me guxim. E në këtë udhëkryq mes sfidës dhe reformimit, më duhet të theksoj se strategjia e re kombëtare për parandalimin e korrupsionit 2026-2030, që e përmendi dhe kryetari i Komisionit për Antikorrupsion, përbën një kthesë të domosdoshme. Ajo pasqyron një vizion të ri për mënyrën se si duhet të funksionojë shteti, një vizion i ndërtuar mbi analiza serioze të riskut mbi praktika evropiane, si dhe mbi konsultime të gjera me institucione eksperte, partner ndërkombëtar dhe shoqëri civile.”, - u shpreh kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.