Rajon

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, mbrojtja mbyll zyrtarisht paraqitjen e provave

04.12.2025 12:21

Mbrojtja e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit kanë mbyllur zyrtarisht paraqitjen e provave...

Në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, mbrojtja e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit kanë mbyllur zyrtarisht paraqitjen e provave në rastin ku klientët e tyre së bashku me Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
 
Këtë njoftim mbrojtja e Thaçit dhe ajo e Krasniqit e kanë bërë ndaras më 2 dhjetor 2025, Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Çarls Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës. Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor. Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.