Botë

Bisedime pa rezultat në Moskë, negociatorët takohen në Florida

04.12.2025 12:48

I dërguari special i ShBA-së, Stiv Uitkof, do të takohet në Majami me kreun e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës

I dërguari special i ShBA-së, Stiv Uitkof, do të takohet në Majami me kreun e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë. Takimi vjen menjëherë pas vizitës pesëorëshe të Uitkofit në Kremlin të martën, ku ai bisedoi me presidentin rus Vladimir Putin. Sipas Moskës, diskutimet nuk prodhuan “asnjë kompromis” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
 
Presidenti Donald Trump i cilësoi bisedimet me Putinin, ku mori pjesë edhe Jared Kushner, si “mjaft të mira”, por paralajmëroi se është ende herët për të pritur rezultate konkrete.
 
Presidenti Volodimir Zelenski njoftoi më herët se një takim mes negociatorëve amerikanë dhe ukrainas pritet të zhvillohet në ditët në vijim. Në një mesazh në X, ai tha se “bota qartësisht mendon se ekziston një mundësi reale për t’i dhënë fund luftës”, por theksoi se çdo proces duhet të shoqërohet me presion të vazhdueshëm ndaj Rusisë.
 
Kievi dhe partnerët evropianë kërkojnë anëtarësimin në NATO, si mënyrën më të sigurt për të parandaluar një agresion të ri, ndërsa Moska e kundërshton fuqishëm këtë opsion. Edhe presidenti Tramp ka lënë të kuptohet se nuk e mbështet zgjerimin e Aleancës me Ukrainën. Kremlini konfirmoi se perspektiva e anëtarësimit të Ukrainës në NATO ishte “çështje kyçe” e takimit në Moskë.