Qëndrimi i Britanisë në BE, mbretëresha Elizabeta e II-të paralajmëron referendum
Mbretëresha Elizabeta e II-të, në një fjalim përpara parlamentarëve të rinj paralajmëroi se qeveria britanike do të miratojë ligjin që do t’i hapë rrugë referendumit rreth anëtarësimit të Britanisë në Bashkimin Evropian...

Ajo mbështeti gjithashtu idenë se referendumi duhet të zhvillohet para vitit 2017.
“Qeveria ime do të rinegociojë marrëdhënien e Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian dhe do të kërkojë reformimin e unionit për të mirën e të gjithë vendeve anëtare. Qeveria do të propozojë gjithashtu edhe një legjislacion të ri për të siguruar një marrëveshje jetëgjatë, duke i dhënë më shumë fuqi Skocisë dhe Uellsit”- deklaroi mbretëresha Elizabeta e II-të.
Mbështetja e mbretëreshës pritet t’i japë më tepër shtysë kryeministrit, Devid Kameron, i cili ka nisur turnin e tij evropian me synimin për të takuar të gjithë liderët e unionit para Samitit të BE-së, në fillim të qershorit. Vendimin e Britanisë e kritikuan shumë vende të Evropës.
Ministri i Jashtëm francez, Lauret Fabius, para vizitës së kryeministrit Kameron, në Paris, tha se referendumi i Britanisë për qëndrimin ose jo në Bashkimin Evropian është shumë i rrezikshëm. Kameron ishte ai që lancoi këtë projekt dhe është vërtetë i rrezikshëm. Ne shpresojmë që Britania të qëndrojë brenda zonës euro për të nxitur reformat që ai thotë se janë të nevojshme në Bashkimin Evropian, përfshirë atë të emigracionit. Ne do ta dëgjojmë dhe do të shqyrtojmë propozimet e tij, tha Fabius.
Në fjalimin tradicional të monarkisë 89-vjeçare, të zgjedhurit e dhomës së përfaqësuesve dhe asaj të lordëve dëgjuan edhe planet për rritjen e ndihmës shëndetësore për të miturit, si dhe reforma të ndryshme ekonomike që kabineti i ri i Devid Kameron i ka quajtur programe për klasën punëtore. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)
