Platforma për ndjekjen e projekteve, Mickoski: Ndershmëri dhe mbikëqyrje publike
Qeveria promovoi Platformën për Monitorimin e Projekteve Komunale...

Qeveria promovoi Platformën për Monitorimin e Projekteve Komunale të Financuara nga buxheti.
Sipas Mickoskit, ky nuk është vetëm një sistem teknik, por një hap përpara në kulturën politike, një hap në qeverisjen moderne dhe një mesazh i fortë se shteti që drejtojmë është i vendosur të jetë i hapur, i përgjegjshëm dhe të ofrojë një pasqyrë të plotë se ku përfundon çdo denarë i fondeve publike.
“Kjo platformë simbolizon angazhimin tonë të qartë për integritet, ndershmëri dhe mbikëqyrje publike të të gjitha investimeve që bëjmë, pa përjashtim. Për herë të parë në historinë e Maqedonisë, po krijojmë një sistem në të cilin çdo qytetar, çdo komunë, çdo gazetar, çdo përfaqësues i sektorit civil dhe çdo palë e interesuar relevante do të jetë në gjendje të monitorojë progresin e projekteve të financuara nga Qeveria në kohë reale, në mënyrë transparente dhe të saktë. Me këtë platformë po hapim punën e institucioneve dhe po krijojmë një kornizë të re besimi, ku publiku nuk pret përgjigje, por i ka ato para vetes.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Edhe kryetarët e komunave u shprehën të kënaqur nga kjo platformë. Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, theksoi se është platformë e mirë dhe komuna në thirrjen e dytë ka fituar pesë projekte.
“Kjo ka të bëjë më shumë me qytetarët e komunave, ku do të kenë qasje të drejtpërdrejtë në këtë aplikacion, që të shohin se çdo denarë i fituar në projekte dhe të realizuara në komunat e tyre si harxhohet dhe në çfarë mënyre harxhohet. Në thirrjen e parë ka qenë një ndër komunat e vetme që nuk e ka shfrytëzuar këtë beneficion nga Qeveria, ndërsa në thirrjen e dytë jemi fitues të pesë projekteve, ku në ditët në vijim do të fillojnë punimet.”, - theksoi kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi.

Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, për TVM2 theksoi se komuna do t’i ndjekë të gjitha hapat, për të marrë sa më shumë projekte.
“Kjo është një e mirë për të gjithë ashtu siç potencuat, rreth platformës të cilën e prezantuam sot, dhe kjo e bën të mundur që çdo qytetar të ketë qasje mbi projektet ku janë në vazhdimësi në realizim e sipër, dhe kjo do të jetë një e mirë që gjithmonë qytetarët do të jenë të informuar me kohë. Vitin e parë Komuna e Tearcës nuk ka arritur t’i marrë të gjitha ato projekte, të cilat i kanë takuar, mirëpo në fazën e dytë kemi katër projekte aktive të cilat duhet t’i fillojmë t’i realizojmë në fillim të muajit shkurt.”, - u shpreh kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi.
Nga Qeveria po ashtu theksuan se nga thirrja e parë publike e financuar nga fondet e ofruara nga Qeveria, janë përfshirë gjithsej 288 projekte me një vlerë totale prej gati 4.6 miliardë denarë ose afër 75 milionë euro.
Nga këto 288 projekte: 193 janë përfunduar plotësisht, 26 janë në fazën përfundimtare, 89 janë duke u zbatuar në mënyrë aktive dhe për 6 projekte të tjera procedura e tenderimit ka përfunduar dhe zbatimi i tyre do të fillojë shumë shpejt.
Sipas Mickoskit, përmes thirrjes së dytë publike për financimin e komunave me kredinë hungareze, përfshihen 828 projekte të reja me një vlerë totale prej 13.8 miliardë denarë ose më shumë se 225 milionë euro. Mbi 50 projekte janë përfunduar ose janë në fazën përfundimtare. (Fitim Kryeziu, TVM2)
