Shqipëri, rrëzohet interpelanca e PD-së
Në pamundësi për t’i kërkuar llogari Belinda Ballukut...

Në pamundësi për t’i kërkuar llogari Belinda Ballukut, e cila është pezulluar nga funksionet e saj si ministre e zëvendëskryeministre, demokratët kërkuan në interpelancë kryeministrin Rama.
Interpelanca u rrëzua me argumentin se çështja “Balluku” është në Gjykatë Kushtetuese, por PD-ja pretendon se Rama po i bën presion kësaj gjykate.
“Rama del dhe flet me vete 3 herë në ditë për këtë çështje, del dhe mbron të pandehurën ministre. Një njeri që flet nga mëngjesi në darkë për këtë çështje, i fshihet deputetëve dhe llogaridhënies. Ne duam të dimë cili është motivi që ka në kabinet numrin 2 të pandehur nga SPAK-u, pse është bërë kryeministri i parë në historinë e botës që ndërhyn në një çështje në hetim.”, - theksoi kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
“Një njeri ka marrë çdo pushtet në të cilin një njeri arrin të bllokojë vendimet e gjykatave, prokurorisë për vjedhjet monstruoze ndaj qytetarëve, në të cilin një njeri arrin të ushtrojë një presion të tmerrshëm të gjithanshëm, banditesk mbi Gjykatën Kushtetuese.”, - u shpreh Sali Berisha.
Akuzave për presione ndaj drejtësisë iu përgjigj ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari.
“Shqiptarët e dinë se kush kërkon asgjësimin e SPAK-ut. Të hënave shënjestrohen prokurorët e SPAK-ut dhe ngryset java me euforinë e mjerë kur subjektet e hetimit janë kundërshtarët politikë. Ne flasim për standarde, ju flisni për kallëzime e të pandehur edhe pse atë e keni në ballin tuaj. Rotacioni polik vendoset me verdiktin popullor dhe jo me vendime gjykatash.”, - theksoi ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari.
I vetmi, sipas Shehajt, që tregon kujdes kur vjen puna tek gjyqtarët dhe prokurorët është Taulant Balla, qëndrim që nxiti një përplasje të ashpër.
“Del Balla dhe thotë pyesni Chat GPT, nuk ka ndodhur ndonjëherë, por prapë unë, thotë, nuk flas për prokurorët e gjykatësit. S’ia mban atij se ka frikë se përfundon si të tjerët. Nuk e shmangni dot daljen para drejtësisë. E keni të kotë.”, - u shpreh Shehaj.
“Ti kur të përmendësh emrin tim laj gojën, po bëjë gargarën me ujë të kripur Vlore, se po u pendua Lul Basha do të tregojë se sa para i ke dhënë për të marrë mandatin në 2017-ën. Kujdes se mos të bën të penduarin Luli.”, - theksoi Balla.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, përveçse është marrë zyrtarisht e pandehur nga SPAK-u për abuzime me tenderët e Tunelit të Llogaras dhe Unazës së Madhe është pezulluar nga funksionet e saj qeveritare. (luljeta Ndoka, TVM2)
