Gjykata Speciale, iu vazhdua paraburgimi Hashim Thaçit
Gjykata Speciale njofton se Hashim Thaçit...

Gjykata Speciale njofton se Hashim Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë u është vazhduar paraburgimi. Sipas gjykatës, rreziqet e parashikuara në nenin 41, rreziku i arratisjes, mundësia e pengimit të procedurës dhe rreziku i kryerjes së veprave të reja penale – ekzistojnë ende dhe nuk mund të zbuten përmes masave më të lehta se paraburgimi. Zyra e Prokurorit të Specializuar insistoi se asnjë kusht lirimi nuk i shmang në mënyrë të sigurte këto rreziqe.
“Në vendimin mbi rishikimin e paraburgimit më 3 dhjetor 2025, gjykatësi i vetëm urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut. Gjykatësi Gosnell konstatoi se ekziston rreziku real që të akuzuarit, nëse do të liroheshin, mund të pengojnë ecurinë e procesit dhe të kryejnë vepra penale të tjera.”, njoftoi Gjykata Speciale.
Mbrojtja, nga ana tjetër, kërkoi rivlerësim duke theksuar ndryshimet e rrethanave pas përfundimit të fazës së provave në çështjen kryesore të vitit 2020.
Por, gjykatësi në fund theksoi se nuk janë paraqitur ndryshime të mjaftueshme që do të justifikonin lirimin e ish-presidentit në këtë fazë.
Ish-presidenti i Kosovës përballet me dy procese të ndara në Hagë, një për krime lufte, që ka nisur që nga viti 2020 dhe një tjetër për pengim drejtësie.
Në aktakuzë mes tjerash pretendohet se Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me Smakajn, me Fazliun dhe me Kilajn, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me Kuçin, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë Speciale në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët.
Ndërkohë, Gjykata caktoi edhe afatet e reja procedurale, sipas të të cilave, Thaçi, në tërësi mund të reagojë deri në 27 janar 2026. (Gyltene Sinani, TMV2)
