Putin: Arrestimet e FIFA-s, skenar i Amerikës

28.05.2015 17:30

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për ndërhyrje në punët e FIFA-s dhe për tentimin për të ndaluar këtë organizatë që të rizgjedhë për president Sepp Blatterin...

Duke folur sot për televizionin shtetëror rus, Putini tha se arrestimi i shtatë zyrtarëve të FIFA-s në Cyrih nga autoritetet zvicerane dje, arrestime këto që janë kryer duke pasur për bazë pretendimet e ShBA-së, janë “qartësisht tentim për të bllokuar rizgjedhjen e Blatterit si president”.

“Këtë të premte duhet të mbahen zgjedhjet e FIFA-s dhe Blatter i ka pasur të gjitha shanset për t’u rizgjedhur president. Unë jam në dijeni të “presionit” që ka Blatteri për shkak të përkrahjes që i ka dhënë Rusisë që të jetë mikpritëse e Kupës së Botës, sepse Blater gjithmonë ka paralajmëruar se nuk do të lejojë që politika të përzihet në sport. Ai beson se sporti duhet shkaktojë efekte pozitive në politikë dhe do të shërbejë si një vend për dialog. FIFA dhe Rusia po ndajnë qëndrim të përbashkët, sporti dhe politika duhet të qëndrojnë larg njëra-tjetrës.  Sa për arrestimet, ato janë bërë me kërkesë të palës amerikane në një kohë kur duhej të rizgjidhej Blater president dhe për ta parandaluar rizgjedhjen e tij u përpilua ky skenar”- deklaroi presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin.

Prokurorët zviceranë, gjithashtu, kanë nisur një hetim të ndarë për zgjedhjen e vendeve mikpritëse të Kupës së Botës në 2018 dhe 2022, në Katar dhe Rusi.

Ministri i Jashtëm francez dhe homologu i tij britanik kanë kritikuar ashpër FIFA-n dhe kanë bërë thirrje për shtyrjen e përzgjedhjes së presidentit të këtij asociacioni botëror të futbollit. Laurent Fabius ka thënë më 28 maj se pas arrestimit të disa zyrtarëve të FIFA-s, një ditë më parë, do të kishte kuptim që të shtyhet zgjedhja e presidentit të këtij institucioni, për të cilin funksion garon presidenti aktual, Sep Blatter, dhe sfiduesi i tij, Princi Ali. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)