Maqedoni

“Qyteti i Sigurt”, është evidentuar 231 km/orë në unazën e Shkupit, qytetarët: Sistem për vetëdijesim në trafik

04.12.2025 15:46

Dënimi është ilaçi më i mirë për të vendosur rend, kështu u shpreh një qytetar për sistemin e ri “Qyteti i Sigurt”...

Dënimi është ilaçi më i mirë për të vendosur rend, kështu u shpreh një qytetar për sistemin e ri “Qyteti i Sigurt”, i cili vetëm për disa ditë përmes kamerave të MPB-së evidentoi një sërë parregullsish dhe shkeljesh në komunikacion. Gjatë periudhës testuese, e cila filloi më 1 dhjetor, është regjistruar një rekord në tejkalimin e shpejtësisë së lejuar, është “kapur” një drejtues mjeti që voziste me 231 kilometra në orë, njoftuan nga MPB. Qytetarët thonë se ky sistem do t’i edukojë vozitësit, por se nevojitet një periudhë derisa të adaptohen.
 
“Mendoj që ky sistem do t’i qetësojë vozitësit, pasi këto kamera me siguri regjistrojnë se kush vozit në mënyrë jo të rregullt, d.m.th. do të ketë dënime, ndërsa dënimi është ilaçi më i mirë për të vendosur rend.”, - tha një qytetar.
 
“Do t’i qetësojë, nëse i dënojnë do të kenë më shumë kujdes me shpejtësinë.”, - tha një qytetar tjetër.
 
“Kur ka kamera, njerëzit janë më të vetëdijesuar dhe do të kenë kujdes më shumë dhe mirë që e bënë këtë.”, - u shpreh një qytetare.
 
“Është një preventive për këmbësorët, për të gjithë, dhe mirë që është një provë fillimisht që të adaptohen dhe pastaj të fillohet me dënimet.”, - u shpreh një qytetar.
 
Ndërkohë ka edhe prej atyre, të cilët ankohen për shpejtësinë e kufizuar.
 
“Me 50 km në orë, do të thotë ju për një orë të kaloni 50 km, Shkupi është 32 km në gjatësi dhe tani mendoni se dikujt i duhen 2 orë nga njëra anë deri te tjetra për të kryer punë dhe 2 orë tjera për t’u kthyer, d.m.th. gjatë kohës së ditës së punës është problem.”, - theksoi në qytetar.
 
Për kujtesë, sistemi "Qyteti i Sigurt" në periudhën e parë testuese, brenda 24 orëve më 1 dhjetor, ka regjistruar 110 mijë shkelje, ndërsa sipas informatave nga MPB-ja më 2 dhjetor janë regjistruar gjithsej 50.652 shkelje, që paraqet përgjysmim të numrit të shkeljeve të evidentuara. Nga to, 48.861 janë shkelje për tejkalim të shpejtësisë, 1.366 për dritë të kuqe dhe 425 për automjete të paregjistruara.
 
Më së shumti 4.300 shkelje për vozitje me shpejtësi të lartë janë regjistruar në dalje të Shkupit drejt Tetovës, si dhe 3.000 shkelje në bulevardin “Nikolla Karev”.
 
ARMEND MURSELI