Ngjarje historike për komunitetin musliman, për herë të parë në vendin tonë vjen Imami i Qabes
Një vizitë historike dhe tejet domethënëse për besimtarët muslimanë në vend...

Një vizitë historike dhe tejet domethënëse për besimtarët muslimanë në vend, për herë të parë në Maqedoninë e Veriut ka ardhur Imami i Qabes nga Meka, Mahir Muajkali. Ai u prit në një takim zyrtar nga Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në RMV, Shaqir Ef. Fetai, duke shënuar kështu një moment të veçantë në marrëdhëniet fetare dhe institucionale mes dy vendeve.
Imami Muajkali ishte i shoqëruar nga ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite, Fejsal Gazi Hifdhi. Vizita u zhvillua në selinë e Rijasetit të BFI-së, ku mbizotëroi një atmosferë e ngrohtë vëllazërore dhe respekt i lartë institucional.
“Ndjehem i privilegjuar që gjendem këtu në Maqedoninë e Veriut. Ne jemi në një vizitë të organizuar nga Udhëheqësi i Dy Xhamive të Shenjta, Shkëlqesia e Tij, Mbreti Selman bin Abdulaziz, si dhe Princi i Kurorës. Këto janë vizita që realizohen në të gjitha shtetet e botës, përmes të cilave përcillet mesazhi i paqes. Ne do ta çojmë në vendin tonë mesazhin për të cilin jemi mbledhur sot dhe gjatë këtyre ditëve në Maqedoni.” – tha Imami i Qabes, Mahir Muajkali.
“Gëzimi është shumë i madh, sepse ardhja dhe vizita e Imamit të Qabes ka qenë një dëshirë e madhe e vendit tonë dhe e të gjithë besimtarëve. Kemi fatin që ta kemi në mesin tonë, me një program të pasur dhe me një prani shumë domethënëse për komunitetin. Kjo vizitë është rezultat i bashkëpunimit të mirëfilltë ndërmjet BFI-së së Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite, veçanërisht me Ministrinë për Çështje Fetare.” – deklaroi Kryetari i BFI-së, Shaqir Ef. Fetai.
Të dy palët diskutuan për thellimin e bashkëpunimit, forcimin e lidhjeve në mes të institucioneve fetare dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e edukimit fetar, shërbimeve fetare dhe organizimit institucional.
Vizita e imamit Mahir Muajkali u vlerësua si një nder i posaçëm dhe një hap i rëndësishëm për shkak se ishte një rast historik që një imam i Qabes së bekuar të vizitojë vendin dhe besimtarët tanë.
Në fund në shenjë falenderimi u shkëmbyen dhurata nga të dy palët. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
