Vazhdojnë bisedimet për paqe për Ukrainën
ShBA-ja dhe Ukraina sërish janë në tryezë në Florida...

ShBA-ja dhe Ukraina sërish janë në tryezë në Florida. Pas takimit me Putinin në Moskë, i dërguari i posaçëm, Uitkof, vazhdon bisedimet me shefin e sigurisë ukrainase, Umerov, në Majami. Në qendër të bisedimeve është plani i rishikuar i paqes dhe çështjet territoriale, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës.
Presidenti amerikan Tramp mbetetet optimist i kujdesshëm, beson se kreu i Kremlinit dëshiron ta përfundojë luftën, edhe pse takimi në Moskë nuk solli kompromis.
“Presidenti Putin pati një takim shumë të mirë me Kushner dhe Uitkof. Çfarë do të rezultojë nga ai takim, nuk mund t’ju them, sepse për tango duhen të dy. Putini do të dëshironte ta përfundonte luftën, kjo ishte përshtypja e tyre.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Zelenski theksoi se Ukraina më në fund po dëgjohet dhe pozicioni i saj po merret parasysh. Ai pret diplomaci dhe presion ndaj Rusisë.
“Vetëm duke marrë plotësisht parasysh interesat e Ukrainës është e mundur një paqe e drejtë. Bota tani qartë e ndien se ekziston mundësi për t’i dhënë fund luftës dhe aktiviteti aktual në negociata duhet të mbështetet me presion ndaj Rusisë.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Moska njoftoi se atmosfera është pozitive. Putini e vlerësoi takimin si të dobishëm, por paralajmëroi se arritja e konsensusit për planin e paqes është e vështirë.
“Atmosfera është pozitive, ne jemi të gatshëm të bëjmë çdo përpjekje të mundshme për të arritur një zgjidhje afatgjate që i përmbush objektivat tona. Amerikanët konfirmuan gatishmërinë për të marrë parasysh shqetësimet tona dhe propozimet kyçe.”, - u shpreh këshilltari për Politikë të Jashtme i Putinit, Juri Ushakov.
Franca, në përpjekje për të bindur Kinën të ulë mbështetjen financiare për Rusinë dhe të ndihmojë në sigurimin e një armëpushimi, kërkon një moratorium mbi sulmet ruse ndaj infrastrukturës civile dhe mbështetje për një paqe të qëndrueshme në Ukrainë.
“Kjo është thelbësore për dimrin e ardhshëm, sepse sot infrastruktura civile, veçanërisht ajo energjetike, është ende nën zjarr rus. Në mënyrë më të gjerë, shpresoj që të mund të punojmë së bashku për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, pra një paqe që respekton të drejtën ndërkombëtare.”, - deklaroi presidenti i Francës, Emanuel Makron.
“Kina i mbështet të gjitha përpjekjet që synojnë arritjen e paqes dhe do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në zgjidhjen politike të kësaj krize, por dënon ashpër të gjitha akuzat e papërgjegjshme kundër Pekinit.”, - theksoi presidenti i Kinës, Xi Jiping.
NATO-ja i përshëndeti përpjekjet aktuale të paqes të ShBA-së dhe edhe një herë konfirmoi mbështetjen për Kievin. Pavarësisht debatit për një zgjidhje paqësore, luftimet vazhdojnë me intensitet të pandryshuar. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
