Botë
India mbështet arritjen e paqes në Ukrainë, Putini e Modi takohen në Nju Delhi
05.12.2025 12:32
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe kryeministri i Indisë, Narendra Modi, i filluan bisedimet në takimin e tyre në Nju Delhi...

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe kryeministri i Indisë, Narendra Modi, i filluan bisedimet në takimin e tyre në Nju Delhi, duke folur për tregtinë mes vendeve të tyre dhe për paqen në Ukrainë.
“India nuk është neutrale, India ka një qëndrim dhe ky qëndrim është për paqe.”, i tha Modi Putinit në hapje të bisedimeve. Putini në përgjigje, e falënderoi Modin për vëmendjen dhe përpjekjet e tij për ta gjetur një zgjidhje për konfliktin. Modi dhe Putini pritet të diskutojnë gjithashtu çështje që përfshijnë fuqinë punëtore dhe energjinë bërthamore civile.
Putini mbërriti në Indi një ditë pasi zhvilloi bisedime me të dërguarit kryesorë të Trampit për një marrëveshje të mundshme paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por ata nuk arritën ndonjë kompromis.
India nuk ka pranuar ta dënojë Rusinë për luftën dhe ka bërë thirrje për paqe përmes dialogut dhe diplomacisë, ndërkohë që ka thënë se lidhjet e saj me Moskën janë vënë padrejtësisht në shënjestër nga vendet perëndimore, të cilat, sipas Indisë, kanë vazhduar të bëjnë biznes me Moskën kur ka qenë në interesin e tyre.
